Dalip Braho Kondi, dëshmor i Skërficës, rënë në qershor të vitit 1914
Dalip Kondi lindi në fshatin Fushëbardhë të Gjirokastrës në tetor 1892. Rridhte nga një familje me tradita të pasura luftarake dhe liridashëse. Të parët e tij kishte luftuar historikisht me pushtuesit osmanë dhe më vonë edhe me ata grekë.
Aktiviteti i tij edhe pse në moshë fare të re ka qenë bujk dhe blegtor. Babai i Dalip Kondit Brahua ishte i shquar për trimëri dhe maturi. Ai kishte luftuar bashkë me të vëllanë Shane Kondin në luftën e Lëkurësit më 1878, ku Shane Kondi (i parë) ka rënë dëshmor në këtë luftë. Brahua kishte tre djem: Dalip Kondin, Xiflo Kondi dhe Pëllumb Kondi.
Dalip Kondi ju përgjigj thirrjes së parisë së fshatit dhe krahinës, mori pjesë në Takimin e Shtëpëzit më 10 prill 1914 bashkë me komandantin e çetës. Ka qenë luftëtar i çetës së Fushëbardhës dhe së bashku me luftëtarë të tjerë të fshatrave përreth i zunë pritë në Gurët e Bashe andartëve si dhe ushtrisë greke. Luftoi trimërisht në Gurët e Bashe, tek Shpella e Dhespinës, tek Nomeja e Qershisë, Përroi i Shtrembër, Përroi i Shametit, Vrahull e deri në Qafë të Skërficës.
Pas një qëndrese heroike të përgjakshme për disa ditë ra dëshmor në qershor 1914 në vendin e quajtur “Përroi i Shametit” pranë Qafës së Skërficës. Nuk ka lënë pasardhës, pasi ka qenë i pamartuar. Është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, me Vendim Nr. 162 datë 30.11.1979 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Gjirokastër.