Lajm i fundit/ Nafta i afrohet çmimit 200 lekë për litër

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër rritje ditët e fundit, për herë të shtatë radhazi në vetëm pak muaj. Në pikat e tregtimit të “Kastrati”, më i madhi në vend për shumicën dhe pakicën, nafta tregtohet me 192 lekë, ose 8 lekë më shumë se më parë. Benzina është shtrenjtuar në 194 lekë, po me rritje prej 8 lekësh.

Që nga viti 2021, çmimi i naftës është rritur disa herë, duke arritur në rreth 192 lekë aktualisht. Në krahasim me nivelin e ulët prej rreth 148 lekësh, që arritën gjatë periudhës së pandemisë, nafta në vend është shtrenjtuar me 44 lekë për litër, ose rreth 30%.

Aktorët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve lidhet me shtrenjtimin e karburanteve në bursa, ku nafta tregtohet me 90 dollarë për fuçi, nga rreth 20 dollarë që zbriti në mars 2020, kur bota filloi të vuante pasojat e pandemisë, ndërsa është afër niveleve më të larta që nga nëntori i vitit 2014. Nafta e papërpunuar është rritur ndërsa ekonomitë rikuperohen nga pandemia e COVID-19 dhe kërkesa gjallërohet.

Një tjetër arsye lidhet me paketën e fundit fiskale e cila parashikon indeksimin e akcizës me inflacionin, që ka filluar të zbatohet nga tregtuesit. Në fundit inflacioni arriti në nivelin më të lartë të dekadës prëj 3.7%, ndërsa mesatarja vjetore e 2021 sipas Instat është 2%.

Aktualisht nafta në vend ka kapur niveleve rekord historike prej 190-200, duke tejkaluar nivelin më të lartë prej 190 lekësh që u arrit në periudhën 2008-2009, kur ari i zi në bursa i kaloi 140 dollarë për fuçi. Ndërsa aktualisht në bursa, nafta tregtohet me 90 dollarë për fuçi, por rritja e taksave mbi këtë produkt që nga ajo kohë ka bërë që karburanti në tregun vendas të tregtohet më shtrenjtë. Aktualisht taksat mbi naftën arrijnë në 110-120 lekë për litër, pas shtrenjtimit të fundit (nga akciza, rilicencimi, skanimi, markimi), ose 38 lekë më shumë se 10 vite më parë.
Ndërsa nga 1 janari këtyre taksave iu shtua dhe indeksimi i inflacionit, që sipas aktorëve të rishikohet çdo tre muaj.

Vetëm nga indeksimi i inflacionit nafta është shtrenjtuar me rreth 3-4 lekë për litër.

Loading...