Lindita Theodhori një jetë të tërë në skenë,mes këngës dhe aktrimit!

Një jetë të tërë në skenë, mes këngës dhe aktrimit, ajo mbetet ndër këngëtaret më të mira në Shqipëri, diva e muzikës shqiptare.
E lindur në qytetin Fier nga prindërit intelektualë Gjinovefa dhe Kito Sota, fëmija i dytë ndër katër fëmijët e asaj familje të nderuar patriotike, vogëlushja e bukur me flokët e zeza të thurrua dy gërsheta, do shfaqte talentin e saj, të ardhmen e ndritur artistike, ku me zërin e saj të fuqishëm dhe melodioz, do pushtonte skenat shqiptare, madje edhe jashtë Shqipërisë.

Muzika, kënga, ishin ngjizur në shpirtin e saj. E vogël, shumë e vogël në moshë, atëkohë, ajo improvizonte veten e saj në skenë në një nga dhomat e shtëpisë dhe, me xhezvenë në dorë, duke e përdorur si mikrofon, do dilte përpara spektatorëve familjarëve, fisit të saj.
Dhe, prindërit e saj të mirë, nuk kishin pse t’ia ndrydhnin dëshirën dhe talentin e madh që shikjonin tek bija e tyre për të ecur në udhën e gjatë, të bukur e të vështirë të artit.
Provat e saja të para ajo i dha në festivalet kombëtare për fatosa dhe pionierë që zhvilloheshin në ato vite; me zërin e saj kumbues dhe të kthjellët, tërhoqi vëmendjen e spektatorët, juritë e ndryshme.
Kishte filluar të hynte në rrugën e bukur dhe të vështirë në artin e të kënduarit.
Dalngadalë po rritej me këngën në shpirt e në buzë, me skenën, me spektatorin.
Pasi kreu shkollën 8-të vjeçare në qytetin e lindjes, do ti hapej rruga drejt Tiranës për të kryer studimet në Shkollën e Mesme Artistike, Jordan Misja.
Kryeqyteti i Shqipërisë, i artit dhe kulturës shqiptare i dha mundësinë vajzës adoleshente artiste të prekte edhe skenat e mëdha të artit të këndonte me estradën e shtetit, estradën e ushtarit…
Duke u ngjitur në udhën e suksesit të saj si artiste, ashtu e gjeti edhe viti 1972, viti i shumpërfolur kur edhe u zhvillua festivali i radhës, Festivali i 11-të i Këngës në Radiotelevizion.

Eh, ai festival i paharuar…!
Siç e kam shkruar edhe herë të tjera, Festivali i 11-të i Këngës në Radiotelevizion u zhvillua në sallën e Tatrit te Operas dhe Baletit në Tiranë nga data 22-24 Dhjetor 1972.
Të njëzetë këngët konkuruese u kënduan në natën e parë në një interpretim nga 19 këngëtarë, sepse Sherif Merdani këndoi dy këngë.
Në natën e dytë të festivalit u kënduan po ato 20 këngë, por me ndryshimin e radhës që, kënga e fundit e natës së parë do të këndohej e para në natën e dytë dhe kështu me radhë.
Sigurisht, nga përvoja ime e viteve nëpër festivale si teleshikues duke i ndjekur pa ndërprerje për vite e vite me radhë, shpesh herë ndodh që, nga të gjitha këngët konkuruese, pasi i dëgjon për herë të parë, disa prej tyre të tërheqin më shpejtë dhe të mbeten në mëndje.
Sipas radhës, kënga e fundit e festivalit dhe e natës së parë, interpretimi i shkëlqyer i këngëtares, tërhoqi shumë shpejt vëmendjen e të gjithë spektatorëve, telespektatorëve dhe dëgjuesve të radios.
Këngetarja simpatike dhe elegante me interpretimin e saj që po i bënte këngës, i “bindi” të gjithë që do ishte fituesja e çmimit të parë. 17 vjeçarja që po dilte për herë të parë në skenën e madhe të festivalit të këngës në radiotelevizion, u prezantua kështu nga Edi Luarasi: “Udhët janë te bukura” Muzika Agim Krajka, Teksti Agim Shehu, këndon Lindita Sota.

Lindita e veshur me fund të zi dhe me bluzë të bardhë doli në skenë; filloi ta këndojë mjeshtërisht atë këngë të bukur, ritmike, rinore: /Uaaa, Kafe Flora burra plot/ pa rum pau,/ vijnë tri vajza ulen tok/ pa rum pau/ pëshperijmë me hare/ pa rum pau/ shoqet tona vijn’ tek ne, uaaaa…/
Në natën e tretë të festivalit, deri në minutat e fundit kur po jepeshin mendimet e jurive të ngritura në rrethe të ndryshme të vendit për të shpallur këngët fituese, ajo këngë ishte pa diskutim pretenduese e çmimit të parë, 100 pikë para këngës tjetër “Erdhi pranvera”. Por, juria e Tiranës, që ishte lënë për në fund të jepte vlerësimin e saj, do ndryshonte rezultatin, duke i dhënë këngës “Erdhi Pranvera” 101 pikë, ku kaloi menjëherë fituese e çmimit të parë te festivalit.
Vlerësimi i këngës fituese me një pikë para këngës që këndoi Lindita ishte e papritur e madhe, sa të gjithë, jo vetëm spektatorët në sallë, por edhe teleshikuesit u shprehën me një “Oooohhh”.

Përfundimisht, Lindita në atë festival fitoi çmimin e dytë, pavarësisht se ajo këngë u popullarizua shumë dhe këndohej edhe më vonë si fituese e çmimit të parë.
Pas suksesit që pati në Festivalin e 11-të kompozitori Nikollaq Bulo do t’i besonte këngën e tij “Tek puntorët” për ta kënduar në anketën muzikore të asaj kohe: /Jeta ime merr krahë të vërtetë/ Sa ëndra thurra kur isha studentë/ M’u çel një dritë n’jetë përgjithmonë/ Për mua puna sot fillon…/
Disa muaj më vonë edhe kompozitori tjetër Vakthi’ Sheme do krijonte një këngë për Linditën për ta kënduar përsëri në anketen muzikore: “Letër nga nëna” /Një letër po nis tek ty/ që të të shpreh nga larg/ mallin e nënave… /
Pas goditjes që mori ai festival, një vit më vonë, në Festivalin e 12-të të Këngës në Radiotelevizion, tashmë studentja për aktrim në Institutit e Lartë të Arteve Lindita Sota do të ngjitej në skenën e atij festivali me dy këngë: “Hekurudha kënga jonë” kompozuar sërish nga Agim Krajka, /Tani është mbrëmje ne jemi bashkë/ Sa shokë të mirë ne këtu u bëmë/ Dhe këngën tonë përmbi një kitarë/ Të pastër lart e percjellim ne…/ si dhe këngën: “Gëzime punëtore”, kompozuar nga Aleksandër Peçi: /Sot gëzimin tim mbi tokë/ Si një agim mbi ju po çel/ Lart në skenë një lajm o shokë unë po j’u sjell/ Një vogëlushe e të ardhmes sonë/ Buzëqeshjen i dhurojmë/ Si pranvera lule jetës sonë…
Rruga për të kënduar në festivale studentes Lindita i ishte hapur, madje, ajo pretendonte të këndonte këngë me volum të lartë.

Siç është shprehur vite më parë artisti i madh Mirush Kabashi kur po e intervistonte drejt përsëdrejti Linditën, i thote: “Lindita, si tani më kujtohet, kur ti erdhe në konkurs për të vazhduar shkollën e lartë, anëtarët e komisionit zunë veshët me duar nga volumi i zërit tënd të pastër dhe te kthjellët…”
Rruga për të kënduar në aktivitetet kombëtare të këngës, festivalet, anketat muzikore… i ishte hapur. Kështu në Festivalin e 13-të të Këngës në RTV Lindita këndoi këngën “Pranverë në zemrat shpërnda”, kompozuar nga Lejla Agolli. /Këndo ti me poetin dhe një shokë ushtarë/ pranverë ti në zemra shpërnda/ Dhe partizanët t’patën ty shokun më të mirë/ Zeri yt i ngrohtë tym e flakë të ndizej me shpejtësi/ Dhe fundin e cigares e ndaje ti me shokë/ Fjala jote qe barrot…., si dhe këngën “Dritë në syt e tu” kompozuar nga Agim Krajka: /Ndjenim ne/ dashurinë si një agim tej pamë/ njëri tjetrin kur e kishim pranë/ mes shokëve tanë/ dhe tek ne/ do të ketë më shumë diell dhe dritë/ mes nesh dashurinë….

Festivali i 14-të i Këngës solli diçka të trishtueshme. Të gjithëve u kujtohet Lindita Sota në atë festival kur doli në skenë me rreth të zi në kokë. Dy muaj para festivalit i vdes papritur njeriu i saj më i dashur dhe i shtrenjtë, MAMAJA. Dhe Lindita bashkë me dhimbjen e madhe që kishte (kush e ka patur atë fat të keq të ndjejë humbjen e nënës e ndjen më shumë dhimbjen. Një ndër ata jam edhe unë, që po shkruaj këto rreshta dhe që e kam jetuar atë fat të hidhur dhe tragjik, humbjen e mamasë sime në një moshë shumë të re) do gjente forcë të këndonte dy këngët konkuruese. “Dashuria më e madhe” ishte njera këngë e kompozuar nga Agim Prodani me tekst të Fatmir Gjatës, fituese e çmimit të dytë: /Tringëllinë një zilkë mushke/ Tej këndon dhe bulku/ Por nga krisma e një pushke/ Dridhet tërë muzgu/ Me barrot edhe me hekur/ Toka ime është ngarkuar/ Vjeshtë e tretë flakë e ndezur/ Fushat, malet ka mbuluar…, si dhe kënga: “Në rrugën e trimave”, kompozuar nga Aleksandër Peçi me tekst të Bardhyl Londos: /Shtrydh një plis nga toka mëmë/ Dhe herroizëm do burojë/ o lule more lule djema/ Që ratë me këngë në gojë…/
Festivali i 15-të i këngës për Lindita Sotën, përveç të papriturës, kishte edhe bukurinë e tij. Në këngën e katërt të natës së parë të festivalit, që i binte të ishte e shtata në radhë, sepse në ato kohë këngët këndoheshin nga dy këngëtarë, prezantuesi i festivalit thotë: “Gjithmonë në aksione” Muzika Agron Xhunga, Teksti Petraq Risto, Këndon Brunilda Sota.
Uaaa! Do shprehnin habinë e tyre të gjithë shikuesit dhe teleshikuesit, kur panë të dilte në skenën e festivalit Brunildën – sa i ngjanë së motrës.

Dhe ashtu ishte vërtetë, ato dy motra ngjanin shumë me njëra tjetrën.
Tri këngë më vonë, prezantuesja femër e festivalit do të prezantonte Linditën të këndonte këngën “Atdheu im e gjithe Shqiperia”, Muzika Hajg Zaharian, Teksti Bashkim Hoxha: /Është një qytezë që e dua shumë/ Në rrugët e tij u rrita unë/ Atje çdo gjë më sjell ndër mend, fëmijerinë/ Por ja nje ditë mirupafshim thash/ Dhe rrugën morra për në Verri/ Në një qytezë në mes dëborës/ Me presin sot, me po at’ dashuri…
Festivali i 16-të i Këngës, do të mbahet mend nga të gjithë artdashësit, sepse Lindita Sota, bashkë me ndryshimin e adresës së saj të re, kishte ndryshuar edhe gjendjen civile.
Zerina Barbullushi, prezantuesja e atij festivali, këngën e kompozuar nga Kujtim Laro me tekst të Xhevahir Spahiut e prezantoi: Këndon Lindita Theodhori.
Disa muaj më parë para festivalit të 16-të, Lindita kishte lënë qytetin e saj të dashur, Fierin, për t’u bërë banore e përhershme e një qyteti tjetër, “Parisit” të vogël shqiptar, qytetit të kulturës së lashtë, qytetit të serenatave të bukura dhe të kënduara nga të gjithë shqiptarët, qytetit të pastër dhe me klimë të shëndetshme, Korçës së bukur.
Duke punuar për shumë vite këngëtare profesioniste e estradës së Korçës, Lindita Theodhori shumë shpejt do dinte t’i përshtatej kulturës dhe këngëve popullore të atij qyteti.

Në atë kohë, ishte e para këngëtare e muzikës së lehtë shqiptare që filloi të këndonte edhe këngët e bukura popullore; përmend: “Hapi sytë e zezë”, “Çobankat që shkojne zallit”, “Zogë ku më qenke rritur” …
Përveç se këngëtare profesioniste e Pallatit të Kulturës, Korçë, Lindita Theodhori po shkëlqente edhe si aktore e Teatrit A.Z.Cajupi të Korçës, përkrah aktorëve dhe regjisorëve më në zë si edhe në kinematografinë shqiptare.
Në Festivalin e 18-të Lindita Theodhori erdhi me dy këngë te reja: “Nëntori i Lirise”, kompozuar nga Limoz Dizdari me tekst të Koçi Petritit, fituese e çmimit të dytë: / Erdhi Nëntori dhe ç’dritë ra mbi ty/ të zjen kraharori/ të qeshin buzë e sy…., si dhe këngën “Mes punëtoreve” kompozuar nga Shaqir Kodra, të cilën e këndoi në duet me Kozma Dushin: /Ne sot djem e vajza tok/ Shkojmë në kantier/ Kënga jone rinore/ Gaz e dritë na jep…/
Në festivalin e 19-të, Lindita përsëri do ishte fituese e çmimit të dytë me këngën “Nën kurorën e ullirit” Kompozuar nga Enver Shëngjergji me tekst të Zaho Pucit: /Nën kurorën e ullirit/ Shtrydhje baltë e rridhnin lot/ Rranë lot e mbinë dhimbje/ Në zemrën tonë/ Përtej fshatit në të dalë/ Niste rruga e kurbetit/ përmbi brigje, përmbi valë/ i rrinte si plagë detit…/ si dhe këngën: “Me dy plagë lufte hyre në parti” e kompozuar nga Aleksandër Peçi me tekst të Agim Shehut:
Në atë kohë ishte e pamundur të mos këndonte; Lindita ishte bërë këngëtare e njohur e dashur për të gjithë. Ajo kishte zënë vendin e saj kryesor në festivalet kombëtare dhe në aktivitetet e ndryshme të muzikës, për të kënduar këngë të fuqishme, të bukura dhe ritmike.
Në Festivalin e 20-të kompozitori Naim Gjoshi, i cili ka një rol të rëndësishëm në prurjet e këngëve të tij në festivale dhe në muzikën e lehtë shqiptare, të cilin e adhuroj për krijimet e tij të bukura dhe te arrira, fitues disa herë i çmimeve të dyta dhe të treta,do t’i besonte Linditës në atë festival këngën e tij : “Kujtimi i Luftës”: /N’ato vite zjarr/ ti më fale shok me zemrën bashkë dhe një nagant/ Ishte ndezur flakë kjo tokë/ nga lufta e madhe…/
Ndërsa kompozitori tjetër Flamur Shehu do t’i besonte këngën e tij po në atë festival të 20-të “Agimet tona” Lindita atë këngë e këndoi në duet me Tonin Tërshanën, që u cilësuan si dueti më i suksesshëm: /Jehon kjo këngë jehon/ Gazmor në punë ne na fton’/ Dhe hapi ynë me tingujt po kumbon/ ne ëndëruam o shokë dhe ëndërojmë gjithmonë/ vendit gëzim t’i shtojmë…./
Një vit më vonë, në Festivalin e 21-të përsëri kompozitori Flamur Shehu do t’i besonte Linditës këngën e tij “Dashuria jonë”, me tekst të poetes Zhuliana Jorganxhi, e cila fitoi përsëri çmimin e dytë: /Po vijnë të gjithë sot miq edhe shokë/ itlindjen time plot me gaz më urojnë/ do t’vish dhe ti si asnjëherë të pres/ sot mbush i dashur unë njëzet vjetë…/
Përsëri në ate festival Lindita Theodhori këndoi në duet këngën tjetër, me një këngëtare të re, të sapo dalë një vit më parë në skenën e festivalit, Parashqevi Simaku. Të dyja së bashku kënduan këngën “Gëzuar shokë”, kompozuar nga Ferdinant Deda me tekst të Kudret Isait.

Festivali i 24-rt i Këngës solli edhe pak ndryshime, zhvillua në Dhjetor 1985. Organizatorët i lejuan këngëtarët të këndonin me mikrofon në dorë.
Pas “çarrjes” së akullit në atë festival, këngëtari tiranas Orhan Zeneli, ishte i pari që e mori mikrofonin në dorë për të kënduar.
Lindita Theodhori këndoi këngën e bukur “Ti mbetesh pranverë” kompozuar nga i talentuari Gazmend Mullahi, me tekst të Koçi Petritit: /Ne dikur ishim/ shokë të një qyteti/ që mban emrin e thjeshtë e të bukur/ Studenti/ … Po sot kush rri?/ Pas xhamit që le ti/ Dhe ç’djalë t’vjen/ ç’sinjale t’vërshëllen?…/
Edhe në ate festival Lindita me atë këngë fitoi çmimin e dytë, pavarësisht se ishte edhe pretenduese e çmimit të parë.
Kushdo që e dëgjon edhe sot atë këngë, nuk ka se si të mos e pëlqejë dhe ta këndojë.
Po atë vit, 1985, për herë të parë Radiotelevizioni Shqiptar organizoi koncertin “Kur vjen Pranvera” i cili do ndiqte rrugën e tij nëpër vitet e ardhshme, duke u quajtur më vonë, Festivali i pranveres, dhe më vonë Kënget e Stinës. Në atë koncert, Lindita këndoi dy këngë: “Kujtimet e fëmijërisë” dhe këngën “Për emrin tënd mendojmë”, kompozuar kjo e dyta nga Ferdinant Deda: /Ti do bëhesh baba/ Unë së shpejti do bëhem nënë/ Dhe zërin tënd, o vogëlush/ Jeta po e pret siç pres unë emrin tënd/… /ne për emrin tënd mendojmë çdo ditë/ Ç’ngjyrë do t’i kesh ti sytë/ Do t’i ngjash ti babit, ndoshta mua vallë/ Vajzë do te jesh, a djalë…

Viti 1986 për Lindita Theodhorin do ishte edhe viti i suksesit të saj te madh. Në verën e atij viti, ajo do të shpallej si këngëtarja më e mirë e Festivalit të Interpretueseve të Këngës. “Jetë moj e bukur” ishte kënga që i dha çmimin e parë Linditës, e komozuar nga i mirënjohuri Adrian Jorgji: /Ç’ka kjo zemra ime sot/ vallë, zemër e kam, a zog/ dhe sa herë fluturoj/ në sytë e tu qëndroj/… Jetë moj e bukur/ me lule mbushma gëzimin det/ zemër moj e lumtur/ zog je sa herë që ti, në kraharorin tim rreh…
Në Festivalin e 25-të kompozitori Alfons Balliçi, së bashku me poetin Koçi Petriti do t’i besonin Linditës këngën e tyre “Pema e Lirisë: /Çdo ditë që shkon/ Le këngën që udhëton/ Mbi çdo ulli/ Që rrisim unë e ti/ përcjellë dashurinë/ Brez pas brezi ti/ pemë e lashtë, blerim i ri…
Ndërsa po atë vit, në Koncertin “Kur vjen Pranvera” Lindita do sillte “Orën” e qytetit te saj. “Ora e qytetit tim” Kështu titullohej kënga e të suksesshmit kompozitor Gazmend Mullahi: /Ora e qytetit rreh/ Tingujt larg e larg fluturojnë/ Lumi i kohës rrjedh e rrjedh/ Dhe dihet, që lumenjtë pas nuk shkojnë/ Hapur si dy krahë akrepat rrinë/ Dhe zemrës i percjellin dashurinë/ Jeta si femijë na merr në gjijtë e saj…
Ne festivalin e 27-të kompozitori Maksim Shehu do t’i besonte këngën e tij: “Eja me kërko” shoqëruar nga Refat Lleshi: /Te kjo bankë/ Nuk do vij unë më të ulem, e di/ Jo studente më s’quhem tani/ Pra lamtumirë/ Tek kjo dhomë/ Nuk do rri më tek dritarja që kam/ Nuk do pres unë më trokitjet mbi xham/ Me tinguj mëngjesi/ Një tjetër jetë nesër mua më pret/ ti në mes njerëzve mua më gjen/ po qe se vjen….
Festivali i 28-te i këngës ishte edhe festivali i fundit për Lindita Theodhorin. Në atë festival ajo këndoi përsëri një këngë të kompozuar nga i mirënjohuri Adrian Jorgji me tekst të poetit të talentuar Skënder Rusi, titulluar “Nëpër ditët tona” që kritika muzikore e vlerësoi si këngën më të mirë të festivalit: /Si qenka kjo jeta, çudi/ Çdo ditë unë të dua me mall te ri/ Dhe vitet po ikin, fluturojnë/ Thinja plot, flokëve u shtojnë/ Bjen borë mbi mua, mbi ty/ Por prap ne po qeshim të dy/ Dhe dua unë gishtat e tu/ Porsi dikur, flokët t’mi krehësh ashtu….

Nga fundi i viteve 80-të, viti 1989 duhet të ketë qënë, Lindita Theodhori, si një artiste e vërtetë profesioniste e formuar, u prezantua para publikut shqiptar duke dhënë në qytete të ndryshme të vendit, koncertin e saj recital “Gjithmonë për ju” për të kënduar rreth 30-të këngë pa ndërprerje. Ajo ishte edhe vetprezantuese.
Sigurisht, nuk mund të rinte pa kënduar edhe në qytetin e lashtë e të bukur, në djepin e kulturës mijëravjeçare, në Beratin e ndritur të qytetërimit.
Koncerti recital që ajo dha në Berat ishte madhështori më madhështorët që asnjë këngëtar deri atëhere nuk e kishte arritur kurrë në jetën e tij artistike të asaj kohe.
Nuk dua të zgjatem se çfarë suksesi ka patur ajo artiste e veçantë, gjigande e skenës. Salla e Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani” e mbushur plot e përplot me spektatorë u “elektrizua” e tëra. Spektatori u bë një me këngëtaren duke e shoqëruar në këngë; duartrokitje, brohoritje, kënaqësi… Njerëz të moshave të ndryshme u ngjitën në skenë për ti dhuruar buqeta me lule divës shqiptare. Nga kënaqësia, një grua e moshuar spektatore, u ngjit në skenë, (duhet të ketë qenë kënga e 15-të që Lindita po këndonte pa ndërprerje dhe, pasi e përqafoi dhe e puthi i thotë: Rrofsh të keqen nëna, rrofsh, po na kënaq shumë, por, pusho pak, se u lodhe…”
Por, gjigandja e skenës, artistja Theodhori, jo vetëm që nuk ndjeu lodhje, por ato fjalë të asaj gruaje, sikur i dhanë edhe më shumë dinamizëm dhe energji për të kënduar edhe këngët e tjera.

Shumë prekëse dhe emocionante ishte, kur Lindita këndoi këngën “Në duart e nënës” që jo vetëm ajo u përlot në skenë, por edhe një pjesë e spektatorëve…
Kishte shumë shumë kërkesa dhe biletat shiteshin menjëherë për koncertin. Njerëzit donin ta shikonin disa herë artisten, që ato ditë vere ishte bërë “banorja” e qytetit të tyre.
Pasi dha koncert për një javë rresht në sallën e Pallatit të Kulturës, nga kërkesat e shumta, u vendos që koncerti të jepej në tribunën e madhe të stadiumit të ri të futbollit që sapo ishte ndërtuar.
O Zot! Edhe në stadium koncerti i saj ka vazhduar më tepër se një javë.
Në fundvitet 80-të Lindita Theodhori u nderua edhe me titullin e lartë “Artiste e merituar”
Ndonëse pas viteve 90-të Lindita Theodhori nuk këndoi më në festivalet e këngës në Radiotelevizion, sepse, pas ndërimit të sistemeve, të tilla erdhën kushtet politike ekonomike në Shqiperi, kur shumica e shqiptarëve të etur për t’u larguar nga atdheu, për të parë botën e jashtme me sy, ku çdo gjë në Shqipëri po shkonte drejt shkatërrimit, edhe artistja me familjen e saj iu bashkua atij largimi.
Në mërgim, në tokë të huaj, me vështirësitë dhe kushtet ekonomike që të jep emigracioni i panjohur, ajo, nuk mund të shkëputej nga kënga.
Këngën e bukur shqiptare ajo e interpretoi edhe ndër emigrantët e shumtë në tokë të huaj.

Pas shumë vitesh larguar nga atdheu, Lindita Theodhori iu rikthye vendit të saj me një koncert tjetër madhështor dhe të suksesshëm, në Korçë, në Fier, në Vlorë.
Ajo i disponon CD dhe DVD e atij koncerti por akoma nuk i ka reklamuar.
Më 10 prill të vitit 2012, Lindita Theodhori është dekoruar nga presidenti i Shqipërisë me urdhërin: “Mjeshtër i Madh i Skenës”
Vlerësimin e saj si këngëtare profesioniste me përvojë Lindita Theodhori e ka marrë prej kohësh nga publiku artdashës. Ajo i ka dhënë shumë artit dhe kulturës shqiptare. Edhe pse vitet kanë ecur, ajo vazhdon të mbetet e freskët në zë, në shpirt, duke kënduar me pasion si vite më parë.
Artistja Lindita Theodhori sot është një bashkëshorte, nënë, grua, zonjë e nderuar e rrethuar me dashurinë e bashkëshortit, dy djemve të saj, bashkëshorteve të tyre, miqve, fansave të saj të shumtë…
Ajo mbetet diva, ikona e muzikës së bukur shqiptare

Burimi: Ilyria Press

Loading...