Të bësh një njeri të qeshë është shumë më e vështirë se ta bësh të lotojë. Humori sot ka diçka që lë mangët. Duhet të jetë më shumë i pranueshëm dhe me më pak zhargone”
“Ne në atë sistem bënim art, nuk pyesnim për pará”
“Ajo kohë ka nxjerrë personalitete të padiskutueshme, ka nxjerrë aktorë dhe regjisorë që sot nuk mund t’i krahasoj”. I këtij mendimi shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, aktori i madh i humorit, Luftar Paja, të realizuar me rastin e 77-vjetorit të tij. Duke renditur më pas, sakrificat e panumërta që bënin sipas tij, aktorët e asaj kohe. “Unë nuk flas për regjime, por për kulturën.
Në atë sistem, kultura, arti, dhe sidomos teatri e estrada pati një lulëzim të spikatur.
Në atë periudhe janë luajtur apo realizuar skeçe, parodi, drama apo komedi që edhe sot pas 30-vjetësh kujtohen dhe respektohen në mënyrë të veçantë. Ne atëherë kur merrnim apo na jepej një rol nuk pyesnim sesa pará do na jepnin, por si dhe sa mirë do ta realizonim atë rol”, shton ai…
Mbushët plot 77-vjeç, pikërisht më 1 dhjetor. Si ndiheni në këtë moshë?
Ndihem i ri, pasi profesioni im të lidh me të gjitha grupmoshat e duke qenë në ritmin e kohës, ndihem i ri dhe i motivuar.
Aktualisht, me se po merret Luftari?
Po merrem me disa skeçe retrospektivë të përcjella në kohë nga Pëllumb Kulla. Skeçet do jepen në koncertet e Vitit të Ri në TVSH. Regjisori dhe aktori Kulla po punon me seriozitetin e dikurshëm për të sjellë diçka ndryshe në këto situata kaotike humori.
Keni patur miqësi me të gjithë aktorët shqiptarë pas vitit 1950. Si do t’i cilësoni ata dhe për cilët keni konsiderata të veçanta?
Shqipëria pas vitit 1945 ka nxjerrë aktorë të kalibrit botëror. Ata janë të shumtë dhe mbeten krenaria e aktrimit shqiptar. Të flas për këta aktorë do të duhen ditë të tëra. Ata kanë lënë gjurmë në gjithë historinë e aktrimit shqiptar, aq sa nuk mund të përsëriten sot, (mendimi im ky). Por në tërë numërimin e tyre, personalisht do të veçoj dy: së pari, aktorin e madh Naim Frashëri dhe së dyti, aktorin e veçantë Kadri Roshi. Naim Frashëri ishte i pari aktor që mori titullin e madh “Heroi i Punës Socialiste” dhe më vonë “Artist i Popullit”.
Ai ishte aktori që ka luajtur role, të cilat rrallë ndonjë aktor do të mund t’i luajë sot. Zëri i tij, timbri, lëvizjet, komunikimi, personaliteti që kishte krijuar e bëjnë atë të jetë një aktor i përmasave botërore. Naimi ishte dhe mbetet një aktor i përmasave botërore, që sot i mungon skenës shqiptare. Aktori është mbi të gjitha njeri, është një personalitet që përcjell vizion, ide dhe komunikim të veçantë me spektatorin. Po ashtu, Kadri Roshi me temperamentin e tij, me lëvizjet, kërkesat dhe mimikën, plastikën e tij mbetet një personalitet unik, i cili mbahet mend në çdo rol që ka realizuar.
Aktorët dhe regjisorët shqiptarë të atij sistemi që sot diskutohen me shumë dashamirësi, si do t’i komentonit sot?
Dëgjo. Ajo kohë ka nxjerrë personalitete të padiskutueshme, ka nxjerrë aktorë dhe regjisorë që sot nuk mund t’i krahasoj (mendimi im ky). Aktorë të tillë, si Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Sandër Prosi, Trebicka, Andon Qesari, Andrea Malo, Antoneta Papapavlli, Arben Shaka, Astrit Çerma, Astrit Hasani, Bep Shiroka, Besa Imami, Besim Levonja, Bexhet Nelku, Birçe Hasko, Mërkur Bozgo, Edmond Budina, Bujar Asqeriu, Bujar Kapexhiu, Bujar Lako, Lec Bushati, Demir Hyskja, Drita Agolli, Drita Haxhiraj, Drita Pelingu, Dhimitër Orgocka, Dhimitër Pecani, Dhimitra Plasari, Dhorkë Orgocka, Edi Luarasi, Eleni Qirici, Elida Janushi, Ema Andrea, Esat Teliti, Fadil Hasa, Fadil Kujovska, Fatos Haxhiraj, Fatos Sela, Ferdinand Radi, Xhevdet Ferr, Fitim Makashi, Fuat Boçi, Gëzim Kame, etj, zor se dalin sot.
Përmenda disa dhe të më falin disa të tjerë që nuk i përmenda pasi ka shumë korifej të tillë, që sot nuk arrijnë të dalin. Të më falin shumë ata që nuk i përmenda, pasi të gjithë kanë lënë gjurmë.
Cilat ishin të veçantat e artistëve në atë periudhë?
Ishin sakrificat e panumërta. Ne shkonim fshat më fshat dhe qytet më qytet, me makina apo autobusa të çfarëdoshëm, pa asnjë komoditet, rrugë dhe pa rrugë, mjafton që të kënaqnim artdashësit.
Si do ta cilësoje në tërësi aktrimin shqiptar në regjimin komunist?
Unë nuk flas për regjime, por për kulturën. Në atë sistem kultura, arti dhe sidomos teatri apo estrada, patën një lulëzim të spikatur. Unë jam artist, nuk bëj politikë. Politika më e mirë për atdheun dhe për popullin tim është që të aktroj, të luaj role që përbëjnë historinë e vendit tim, përmendoren e tij, role që mbeten në kujtesën e vendit tim. Në atë sistem, teatri, estrada ishin në kulmin e lulëzimit, ishin në nivelet më të larta.
Në atë periudhë janë luajtur apo realizuar skeçe, parodi, drama apo komedi, që edhe sot pas 30-vjetësh kujtohen dhe respektohen në mënyrë të veçantë. Ne atëherë kur merrnim apo na jepej një rol, nuk pyesnim se sa pará do na jepnin, por si dhe sa mirë do ta realizonim atë rol. Ne luanim dhe realizonim role edhe kur na vdiste babai apo nëna, apo edhe kur na lindte një djalë apo vajzë. Kjo tregonte atë që arti, ishte mbi gjithçka. Pa art, një komb është i destinuar të zhduket. Më vjen mirë që shumë role të asaj kohe vijnë dhe kujtohen sot me po atë dëshirë dhe dashamirësi, sikur të jenë luajtur sot.
Ju keni realizuar shumë role në gjininë e humorit. Si do ta cilësoni humorin sot në shumë spektakle humori?
Në sistemin monist, ne ishim shumë të kufizuar në realizimin e skeçeve të humorit, të parodive apo barcoletave. Ishim shumë të kufizuar. Humori duhet të jetë humor real, i besueshëm dhe i natyrshëm. Humori nuk duhet të jetë i sforcuar. Nuk duhet të jetë humor banal. Nuk duhet të jetë humor i detyrueshëm. Në fund të fundit, humori është një gjini shumë e vështirë. Të bësh një njeri të qeshë është shumë më e vështirë se ta bësh të lotojë. Njeriu loton edhe nga një pickim, por të qeshë është shumë e vështirë. Pra, humori sot ka diçka që lë mangët. Duhet të jetë më shumë i pranueshëm dhe më pak me zhargone. Por ka shumë skeçe, parodi dhe gjini humori tepër të realizuara.
Si do ta cilësoje estradën dhe teatrin e Fierit në vitet 1960-1990?
Estrada dhe teatri i Fierit në ato vite ishin në kulmin e lulëzimit. Jo vetëm në Fier, por edhe në Tiranë, trupat tona konkurronin dhe arrinin rezultate të shkëlqyera. Mbaj mend se kur më emëruan në estradën profesioniste të qytetit të Fierit, usta Niko më tha: “Tani ike, na le. U rrite me përgjegjësi, por mos harro grason, se ajo të dha dorë të madhe”. Dhe unë për shumë vite, gati një dekadë mora estradën e parkut në patronazh, punë të cilën e bëja me shumë dëshirë. E quaja veten familjar të parkut, jo vetëm se kisha punuar aty, por edhe për faktin se njerëz si Niko Çaçi meritojnë nder e lavdi dhe duhet t’ua shpërblesh me përkushtim. Plus dhe faktit që në parkun e Fierit “Vangjel Rusku” gjeta dashamirësinë e të gjithë punonjësve.
Në park gjeta artistë të talentuar si: Llazo Polo, Lirim Zhupa, Kujtim Mema, Agim Halo, Bukurie Zhupa, Ilia Lulo etj. Vlen të theksohet kontributi i çmueshëm i Piro Gjerazitit, i cili ishte drejtues i talentuar, por xhelozitë në art e kishin lënë magazinier në park. Me shumë respekt kujtoj dashamirësinë e drejtorit të parkut, Gaqo Konda. Por dhe në Estradën e Fierit, për fatin tim të madh, gjeta një ekip shumë të mirë. Midis të tjerëve gjeta regjisorin Llazar Vërria, të cilin e njihja shumë mirë sepse ai më kish ndihmuar dhe me grupet amatore.
Llazari ishte njeri shumë dashamirës dhe profesionist. Jam shprehur dhe nëpër intervista ose opinione personale për figurën e tij të ndritur sepse realisht ai ishte regjisori i Estradës së Fierit, por mbahet edhe si një nga krijuesit e Teatrit të Kukullave në shkallë kombëtare. Në estradë takova Nestor Pogaçen, një aktor i shkëlqyer i cili, për fatin e tij të keq, doli shumë shpejt në pension, në një kohë kur televizioni shqiptar akoma nuk kishte lulëzuar, ndaj nuk pati fatin të njihet nga masa e gjerë.
Por bashkëkohësit e dinë shumë mirë kush ishte ai dhe ia njohin vlerat, duke e klasifikuar ndër aktorët me përmasa kombëtare. Po kështu, një mbështetje të fortë gjeta dhe nga Kujtim Jorgaqi, Koço Papadhopulli, Fuat Boçi dhe Isuf Maloku e shumë e shumë të tjerë, që përbënin një kolektiv të përkryer. Ne në teatrin “Bylis” të Fierit u bëmë gjashtë vëllezër e një motër, ose ndryshe aktorët Luftar Paja, Nestor Pogaçe, Fuat Boçi, Todi Llupi, Arqile Lipe, Sotir Stefa dhe Xhuljeta Kulla.
Kur do ta lërë skenën Lufta Paja?
Besoj se vetëm atëherë kur do të më lënë këmbët. Kam akoma shumë për të bërë. Në teatrin dhe komedinë shqiptare ka shumë shembuj që mund të sjell sesi kanë sakrifikuar për skenën. Tipikë janë Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Lazër Filipi e shumë të tjerë.
Cilët kanë qenë nxitësit e dëshirës suaj për skenën?
Familja ime, bashkëshortja Qamilja, dy djemtë dhe vajza. Ata kanë qenë frymëzuesit e mi në çdo kohë, por që më shtyjnë edhe për vepra të reja. Kanë besim tek unë dhe unë besoj tek fryma e tyre.
Po monografia ime e shkruar për ju, a i reziston kohës?
Të flas për monografinë nuk jam unë personi që duhet të flas, por publiku, populli. Përderisa monografia kërkohet për çdo ditë, edhe më shumë notën e jep publiku. Ndihem mirë kur librin pas 8 vjetësh ma kërkojnë me atë etje sikur të ishte botuar dje.intervistoi Albert Zholi