Margarita Xhepa, jeta e divës së teatrit shqiptar

Prindërit e saj, Zoi e Marije Prifti, edhe pse jo të kamur, e rritën nën një kujdes të veçantë.

Në moshën nëntëvjeçare nënë Marija ndahet nga jeta, duke i lënë Margaritës së vogël aq shumë mbresa, kujtime e tregime, që do të mbetnin tërë jetën në kujtesën e vogëlushes dhe qe nuk do të vononin të shpërthenin kohë më pas përmes fjalës magjike në skena e ekrane.

Siç ka pas treguar vet Margarita, mësuesja Sofije Kushi do t’í fuste në shpirt dashurinë për fjalën e bukur shqipe, pikërisht atë fjalë që e vogla do ta përcillte ëmbël dhe fuqishëm te shokët e shoqet e veta në shkollë e jashtë saj dhe deri te spektatorët e shumtë kohë më pas.

Në një rast që organizohej një shfaqje e Shtëpisë së Kulturës të qytetit, ish-inspektori i kulturës së rrethit të Lushnjës, Gëzim Libohova do të dilte shkollave të qytetit për të përzgjedhur një nxënëse për të luajtur rolin e një vajze ruse. Diku i pat rënë në sy një nxënëse shumë e bukur e, po kështu, edhe tepër shprehëse. Kjo u mor për të luajtur rolin që kishte mbetur pa aktore. Dhe kjo ishte pikërisht Margarita Prifti. Shfaqja e përgatitur u dha asaj kohe jo vetëm në Lushnje, por edhe në Fier, Berat, Patos etj.
Dhe që nga ai çast, nxënës e mësues në shkollë, punonjës të Shtëpisë së Kulturës dhe deri mjaft kuadro të pushtetit lokal do të shikonin te vajza e Zoi Priftit nxënësen e talentuar, që kishte nisur të hidhte hapat e para në rrugën e bukur të artit skenik.
Në mbarim të shkollës shtatëvjeçare Margarita Prifti do të dërgohej në Liceun Artistik “Jordan Misja”në Tiranë, në degën e dramës.

Nga shkolla e mesme, drejtpërdrejt në Teatrin Popullor

Që gjatë periudhës shkollore në Liceun Artistik “Jordan Misja” Margarita do të shquhej ndër shokë e shoqe për talentin e saj të veçantë. Deklamonte fuqishëm dhe me ndjenjë. Mendimit i jepte zë dhe ndjenjës – muzikë. Vetes i jepte punë, spektatorit – mesazh. Fjalën e ledhatonte, veprimit i jepte dridhërimë.

Në vitin 1950, kur ishte vetëm tetëmbëdhjetë vjeçe, nxënësja lushnjare e Liceut Artistik “Jordan Misja” do të ftohej të ishte pjesë e trupës së Teatrit Popullor, sot e Teatrit Kombëtar. Këtu do të gjente aktorë të formuar të skenës, autoriteti i të cilëve, megjithatë, nuk do të mund t’i bënte hije aktores së re.

E re, e papërvojë dhe e brishtë, Margaritës do t’i duhej të ecte përpara vetëm falë talentit të vetë. Edhe pse nuk do t’i mungonte ndihma, ajo e kishte të qartë se “regjisori” më i rreptë ishte spektatori. Arriti ta lexonte spektatorin.

Në vitin 1951 pat dalë për herë të parë në skenën e Teatrit Popullor. I qe besuar të luante rolin e shërbyeses në një dramë ruse me titullin “Makar Dubrov”. Siç patën shkruar gazetat e kohës, artistja e re i kish dërguar spektatorit një figurë bindëse, një shërbyese të varfër ekonomikisht, por shumë të pasur moralisht. Një shërbyese që fizikisht i shërbente zotnisë, por virtualisht i shërbente masës së gjërë të njerëzve të punës, të cilët jo vetëm aspironin, por edhe punonin për drejtësi shoqërore.

Më vonë, vit mbas viti, aktores së re lushnjare do t’i besoheshin role të dorës së parë, me ngarkesë të madhe mendimi e ndjenje, role që përbënin kockën e dramave. Mbresëlënëse e deri tronditëse është shfaqur në rolin e Majlindës te drama “Majlinda” e Xhemal Brojës.

Artistja e Popullit, Margarita Xhepa – Nderi i Kombit, ka krijuar mbi 150 role në teatër. Dhe të gjitha kanë mbetur modele të përkryera të mjeshtërisë aktoreske. Spektatori i moshës së rritur nuk mund të mos kujtojë me shumë nostalgji lojën e bukur të kësaj aktoreje në rolet e Dafinës te “Lumi i vdekur” i shkrimtarit të mirënjohur Jakov Xoxa, të Files te “Cuca e maleve” e dramaturgut të njohur Loni Papa, të Zonjës Mëmë te “Kush e solli Doruntinën”, të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, të nënës te “Përballë vetes” të dramaturgut të njohur Ruzhdi Pulaha etj

Ndërsa shikoje Ofelinë harroje se ishte Margarita

Shkrimtarja Angjelina Xhara, biografe e aktores së madhe Margarita Xhepa, ka pas shkruar, se “Nëse ka një nënë Pashako, ajo është Artistja e Popullit, Tinka Kurti. Nëse ka një teto Ollgë, ajo është Artistja e Popullit, Violeta Manushi. Nëse ka një Bude, ajo është Artisja e Popullit, Drita Pelingu. Por nëse ka një Ofeli, një Hekubë, ajo, pa dyshim, është Artistja e Popullit dhe “Mjeshtre e madhe e Artit”, Margarita Xhepa”…

Angjelina pohon një të vërtetë të madhe.

I kthyer në ato kohë kur Margarita luante Ofelinë, sot spektatori i moshës së rritur nuk mund të mos kujtojë lojën e shkëlqyer të kësaj artisteje. Ndërsa e shikoje Ofelinë në skenë, atyre çasteve harroje se kishe të bëje me një aktore të futur në rol. Veshja, zëri, veprimi dhe gjithçka tjetër që fshihte në vetvete kjo aktore, të përfshinin në një botë ireale, ku mendoje, përfytyroje dhe jetoje çastin hamletian. Me sytë mbërthyer te ajo, atje në skenë, ishe harruar mbas mbretërisë së ndjenjës. Edhe pse ndodheshe në sallë si një spektator i ardhur për të ndjekur një shfaqje, aktorët, mes tyre edhe Margarita, të kishin tërhequr mbas vetes dhe të kishin shndërruar në një rob të magjisë që endej sallës së Teatrit.

Kush e pat ndjekur në vitet shtatëdhjetë shfaqjen “Intrigë e dashuri” të Shilerit dhe nuk qe magjepsur mbas lojës së asaj kaste të zgjedhur aktorësh, mes të cilëve – edhe të Margarita Xhepës! Ndërsa luante rolin e Luiza Miler, krejt natyrshëm emocionoheshe dhe së brendshmi të bëhej se kishe rënë pre e ndjenjave që shpërndante në sallë aftësia e shkëlqyer aktoreske e Margaritës. Dhe le të shënojmë këtu, se bëjmë fjalë për një kohë, kur ishte e vështirë të gjeje qoftë edhe një biletë të vetme për të ndjekur shfaqje ku luanin aktorë të mëdhenj, përfshirë edhe “Ofelinë” për të cilën bëjmë fjalë.
Në dramën “Dhelpra dhe rrushtë” Margarita pat luajtur rolin e zonjës Klea. Dhe pat realizuar një lojë vërtet fantastike. Një rol që t’i gozhdonte sytë në skenë. Një rol që të zgjonte dëshirën për të mësuar nga jeta. Një rol që ekuivalentone, plotësonre e harmonizonte edhe rolet e tjera në shfaqje.

Ofelia e Margarita Xhepës është e papërsëritshme në variantin e vetë, sepse është një personazh i tillë, në mendjen e të cilit pulson mëndja e Margaritës dhe në zemrën e të cilit rreh shpirti i kësaj aktoreje.

Në skenë, si të ishte mes spektatorëve

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar Margarita Xhepa ka qënë një nga idhujt e artdashësve. “A luan në këtë dramë Margarita?” – pyesnin para se t’i drejtoheshin sportelit të biletave. Luan Kadri Roshi? Sandër Prosi? Sulejman Pitarka? Robert Ndrenika? Reshat Arbana?..

Pyesnin, sepse secili aktor kishte krijuar profilin e vetë. Edhe Margarita – të sajin. Një profil, që do të dëshironim ta shihnim te secili aktor i ditëve tona.

Është pritur, shoqëruar e përcjell me duartrokitje Margarita Xhepa në të gjitha dramat ku ka luajtur. Është pritur kështu kur ka luajtur Ofelinë e “Hamleti”, por edhe kur ka luajtur rolin e vajzës së dytë te “Mbreti Lir”, atë të dados te “Romeo e Xhulieta”, të mbretëreshën Margaret te “Rikardi i III” i Shekspirit. Në këto e në të tjera role kjo aktore nuk ka luajtur thjesht rolin, por, e futur në rol, ka luajtur vetveten si të ishte Ofelia, dadoja, mbretëreshës Margaret etj. Shkurt, kjo aktore pat realizuar një shndërrim të plotë karakterial, duke arritur në atë pikë sa nuk merrej vesh në kishe të bëje me Margaritën që luante Ofelinë, apo kishe të bëje me Ofelinë që luhej prej aktores Margaritë.

Kanë mbetur në fondin e artë të lojës aktoreske të Margarita Xhepës role të tilla, si ato të Kleas te “Dhelpra dhe rrushtë” (Figereido), të Lenës te “Xhaxha Vanja” (Çehov), të Ledi Milford te “Luiza Miler” (Shiler), të Zonjës Berling te “Vizita e inspektorit” (Pristli), të Zonjës Lomen te “Vdekja e një komisioneri” (A. Miller), të Ana Andrejevna te “Revizori” (Gogol), të Marselës te “Qeni i kopshtarit” (Lope De Vega), të Mashenka te “Mashenka” (Afigenov), të Shejlës te “Morali i zonjes Dulska” (Zapolska) e shumë e shumë të tjera.

Tashmë me më shumë përvojë në skenë, sigurisht nën këshillat artistike të regjisorëve të ndryshëm, Margarita Xhepa ka mundur ta përligj atë çka i kanë pas thënë të realizonte në skenë. Në rase të tilla, kur është bërë fjalë të realizohen figura nga realitete të tjera historike apo gjeografike, kjo aktore ka mundur t’ia dërgojë spektatorit sa më të “përkthyer” artistikisht mesazhin.

Theksojmë këtu, se kjo aktore e madhe ka shkëlqyer edhe tani së voni, teksa pat luajtur rolin e dados te “Elektra” e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, vënë në skenë në Teatrin Kombëtar të Greqisë, në Athinë.

Sikundër në skenë, e shkëlqyer edhe në ekran

E skenës teatrore, por edhe e ekranit, Margarita Xhepa mbetet një nga ikonat e kinematografisë shqiptare. E cili regjisor nuk do të donte ta kishte pjesëtare të trupës së vet filmike! Në më shumë se 35 filma ajo ka lënë portretin e përsosur të një aktoreje interesante që flet me imazhin, zërin dhe plastikën e vetë.

Regjisori i mirënjohur i kinematografisë shqiptare, Kristaq Dhamo – Artist i Popullit, do ta aktivizonte këtë aktore plot sharmë që në një ndër filmat e parë shqiptar, “Vitet e para”, duke i pas dhënë një rol të rëndësishëm gruaje.

Kohë më pas Margarita do të luante edhe në mjaft filma të tjerë, si në ata “Gjurmët”’, “Dimri i fundit”’, “Tokë e përgjakur”, “Apasionata”, “Gjeneral gramafoni”, “Rrethi i kujtesës”, “Vitet e pritjes”, ‘Gurët e shtëpisë sime”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “E diela e fundit” e mjaft të tjerë.

Te filmi “Dora e ngrohtë”’ kjo artiste paraqet një nënë shumë të dhembshur. Një nënë me zemër të plagosur, që rrezaton dashuri e dhembshuri njëherësh. Një nënë që është gati të ndeshet me këdo në emër të dashurisë për fëmijën. Paraqitja e saj, veprimet delikate, dialogu i shkathtë, tonaliteti, timbri dhe ngjyrimi i zërit, këto e të tjera dërgohen te spektatori me mjeshtëri të jashtëzakonshme.

Te filmat “Toka e përgjakur”’ apo te filmi tjetër “Pylli i lirisë” shikojmë një nënë me shumë botë të brendshme, ku trazohen e bëhen njësh dashuria dhe urrejtja, ngashërimi dhe protesta, zhgënjimi dhe shpresa. Aktorja të vjen e të bëhet bashkëvuajtëse në shpirt, duke të të trazuar ndjenjat deri në përlotje.

Se sa peshë të rëndë ka pasur dhe vazhdon të ketë magjia e lojës aktoreske të Margarita Xhepës, kjo u dëshmua edhe në vitin 1997, kur kjo ishte rret 65 vjeçe, ne filmin grek me titullin “Mirupafshim!” të regjisorëve J. Koras, K. Vupuras. Filmi u laureua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërkohë që kësaj artisteje iu akordua Çmimi i Nderit.

Djali i Margaritës, Ndriçimi – Artist i Merituar, është një tjetër yll i skenës dhe i kinematografisë shqiptare, ndër më të shquarit aktor të brezit të vetë.
Për këtë aktore janë shprehur:
Pa dyshim që Margarita Xhepa është një nga aktoret më të shquara të skenës për gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Për të është shkruar me superlativa nga njohësit më të mirë të artit skenik në shtypin e djeshëm dhe të sotshëm.
Për të mos u shpërndarë në shumë të tjerë, po cekim këtu thënie të disa prej figurave më të shquara të letërsisë e të artit:

Dritëro Agolli, ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë – Nderi i Kombit: “Nuk ka shqiptar që të mos vlerësojë kontributin e Margarita Xhepës në skenë dhe kinematografi. Është karriera e saj, talenti dhe bukuria që e bëjnë të shndrijë në horizontin e artit shqiptar një yll, që do të ndriçojë gjithë kohën”.

Mihallaq Luarasi, regjisor i mirënjohur: “Margarita është aktorja më e mirë me të cilën kam vënë në skenë pjesët më të mira të miat. Kam punuar një kohë të gjatë me këtë aktore, që në fillimet e karrierës së saj dhe arrij në përfundimin, e jo vetëm unë, se është një nga ikonat e shquara të teatrit shqiptar”.

Piro Milkani, regjisor i shquar i kinematografisë: “Me rolet që ka interpretuar në skenë dhe kinematografi, me nivelin e interpretimit në skenën shqiptare apo në filmat grekë, me fotozheninë e jashtëzakonshme duhet ta pohojmë që ka qenë një ndër femrat më të bukura aktore e, padyshim, meriton të cilësohet Diva e artit shqiptar”.

Albert Verria, Artist i Popullit: “Kam një konsideratë të jashtëzakonshme për këtë artiste të madhe, sepse rolet e saj, qofshin ato pozitive apo negative, janë interpretuar në nivelin më të lartë. Është një korife e teatrit dhe kinematografisë dhe mendoj se është nder i madh për kombin që ka në gjirin e tij artistë të kalibrit Margarita Xhepa”.

Një këshillë e Margaritës për aktoret e reja:

Çdo punë do përkushtim dhe dashuri. Dhe kjo – në çdo profesion. Pa dashuri, pa impenjim dhe pa seriozitet nuk arrin dot asgjë.
Është puna ajo që të zbardh faqen, siç thotë populli.
Puna e zmadhon talentin.

Në rast se nuk do të punosh, çdo rol do ta realizosh gjithmonë njëlloj!

Jeta është e ndryshme, e bukur, e larmishme. E dërguar në skenë apo në ekran, ajo kërkon të pasqyrohet me gjuhë të figurshme, të transmetohet me art dhe të jetë sa më afër shpirtit të artdashësit./Express

Loading...