Mentor Xhemali lindi më 12 Maj të vitit 1924 dhe vdiq më 9 prill të vitit 1992, ishte një personalitet i shquar jo vetëm i muzikës klasike, por edhe asaj partizane (marciale) e popullore është padyshim edhe i madhi dhe i paharruarri Mentor Gega “(Mentor Xhemali)”.
Me zërin e vokalin e tij, muzika shqiptare gjeti shkëlqimin, bukurinë, lulëzimin e saj. Mentor Xhemali lindi më 12 Maj 1924 në qytetin e Përmetit. Që i vogël Mentori u rrit me këngët e dasmave anës Vjosës. Kariera e tij filloi me Ansamblin e Ushtrisë Popullore.
Aty doli në pah talenti i basit Mentor Xhemali. Aty kujton me respekt dhe mirnjohje ndihmën e madhe dhe bashkpunimin me dirigjentin e tij të parë Artistin e Popullit Gaqo Avrazi.
Viti 1952 hap një faqe krejt të re në jetën e tij. Për 4-vjet atij i akordohet bursa për në konservatorin P.I. Çajkovski në Gudsielnikov të Moskës, për të kryer studimet e larta në degën e kantos.
Mik dhe admirues i tij ishte dhe basi bullgar me famë botërore Nikolla Georev. Më vonë për fat të keq zëri i tij brilant zurin vendin si korist dhe jo solist në korin e operas në Tiranë.
Derisa talenti i tij mori vendin që i takonte, atë të solistit të parë si këngetar klasik në Teatrin e Operas dhe Baletit, një bas bariton shpërthyes dhe emocionues, një zë i ngrohtë, i dashur për të gjithë.
Mentori i muzikës ecën bashkë me vitet, dhe ne kujtojmë madhështinë e tij nëpër skena , dhe interprentimet e tij mbresëlënëse, ku në opera do veçonim: “Nusja e shitur”, “Traviata”, “Jolanda’, rolin e Don Basilios aq të dashur për të , tek “Berberi i Seviljes’, rolin e ciganit tek “Aleko”, rolin e Gremenit tek “Eugjen Onjegin”, e shumë të tjera role të spikatura.
Pjesëmarrja e tij në koncerte jashtë Atdheut ka qenë mjaft e madhe. Duke filluar me ish-Jugosllavinë më 1947, ish-Bashkimin Sovjetik 1949, 1950, Poloni 1955, Gjermani, Çeki, Hungari, Bullgari dhe sërisht në Bashkimin Sovjetik 1959, Austri 1960, Finlandë 1963, R.P. të Kinës 1963, Kubë 1965, Turqi, 1967 Kinë 1967 1972. Në Austri, Finlandë dhe Poloni nderoi vendin me çmime dinjitoze. Ashtu si Naimi, që i këndoi atdheut me vargje, edhe Mentori i këndoi atdheut me zë.
Ai do mbetet një nga figurat më të shquara të artit vokal, një nga baset më të mëdhenj, një emër i nderuar i artit dhe muzikës shqiptare. Sa herë do përmendet emri i tij do kujtohet himni i vërtetë shqiptar, kënga madhore “Për ty Atdhe”.
Jeta dhe kariera e tij kaluan në epoka të vështira si për gjithë kombin shqiptar. Ai mbeti mes këtyre viteve të vështira ashtu siç e meritonte, artist i madh i këtyre epokave, duke u nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”.
Burimi: Wikipedia