Mete Koshena duar arti nga Dukati,gdhëndësi i drurit dhe gurit (foto)

Nga cikli : “Mjeshtrat tanë”

DUAR ARTI NGA DUKATI

– me Mete Koshenën, gdhëndësin e drurit e gurit –

Me punimet në dru të objekteve baritore u njoh qysh në vegjëli, atëhere kur pa mbushur pesëmbëdhjetë vjeç do të shkonte me bagëti, pas të jatit.
Laze Koshena, i jati, mbahej si një nga gdhëndësit e drurit më të njohur në krahinë, sidomos për ca pori të çobanërisë e staneve.
Aty, pas dhënve, edhe i biri Metja, e nisi zanatin e gdhëndjes në dru si trashëgimi nga i jati.
Dhe kështu po vazhdon, një jetë e tërë, gati gjysëm shekulli pa u lodhur, duke bërë sende e objekte të ndryshme, kryesisht me subjekte nga jeta blegtorale. Të gjitha në mënyrë artizanale, një për një të gdhendura vetëm me dorë.
Kërraba çobani, lugë e cyla dyjare, furka për tjerrje leshi, qafore për zile e këmborë, çibuqe e tavlla duhani, vedra bulmeti e dybeqe, po edhe çdo gjë që ja sheh syri, këtij burri duket se ja bën dora.
Shumë prej këtyre objekteve do zinin vend edhe në muzeun- shtëpi, në Kullën e Dervish Aliut aty ndanë qendrës së fshatit, një vlerë e jashtëzakonshme e trashëgimisë kulturore, dikur plot shkëlqim ndërsa tani i rrënuar dhimbshëm…
Punimet e gurta janë një tjetër dimension i pasionit dhe talentit të këtij dukatasi me shpirt artisti e ku shtëpinë brenda e jashtë me duart e tij e ka shndërruar në një objekt të këndshëm trashëgimie.
Nga do që kam shkuar, brenda e jashtë vendit, më ka qëlluar të shikoj lloj-lloj gjerdhesh, me shufëra, drunjër e mbase edhe tubo të metalta por, prej guri, askund e asnjëherë më parë s’kam parë.
Vetëm te Mete Koshena, aty në shtëpinë e tij në Dukatin e vjetër, në pllajën rrëzë Golashit mund t’a shikosh këtë “shpikje” të rrallë.
Nuk është një garth butaforik, as thjesht për të treguar një punim artistik, është krejt funksional, në rrethim të oborrit, kopshtit e bahçes aty pranë shtëpisë.
Kur nis e futesh brenda oborrit e shikon se kjo nuk është një rastësi, përkundrazi aty mëson se kjo mënyrë pune artizanale është baza e punës së këtij njeriu, krahas drurit.
Gjithandej punë artistike të gurta, punë murale e objektesh të ndryshme që t’i zë syri gjithandej, deri te inicialet e emrit të tij, “M K”, të vendosura lart, mbi çati.
Vazo lulesh të gurta, vedëra, kusi, sylinjarë uji për burime e çezma guri, oxheqe e modelimi me lloj-lloj imazhesh.
Gurin, ashtu copa-copa, gati të çakëlluar e bie që nga Maja e Thanasit e Barçallaja, si të binte çaj e trëndelinë.
Është një gur krejt i veçantë, gjithandej me pore e i gripuar nga erozioni shekullor aty ku përzihen erërat e detit e të malit.
Përpunimi e dhënia e formave një shkollë më vehte, me durim të jashtëzakonshëm por edhe shpirt të pa diskutueshëm artisti.
Të bësh bashkë e mos t’i kuptosh se dikur kanë qenë të ndara në mijëra e mijëra copa të vogla gurësh.
Vlera të qarta e të padiskutueshme të fuqisë së artit popullor që në ditët tona na vijnë si trashëgimi e kulturës tonë materiale e shpirtërore./Sejmen Gjokoli

Loading...