Mevlan Shanaj, portret i krijuesit që kapërceu epokën

Bisedë në jurinë e Festivalit të Teatror me artistin e dy epokave. Si e braktisi mjekësinë duke u dashuruar me filmin.

Që kur ishte student luajti filmin “I teti në bronz”. Karriera, nga bashkëpunimi me Viktor Gjikën tek Michele Placido

Miho Gjini

Këtu ku ndodhem “i arratisur”, në periferi të Athinës e më është arratisur edhe gjumi i natës, me ngushëllon hera-herës një nga shpikjet më të mrekullueshme të njerëzimit, vala televizive, që më sjellë vendin tim tek tarraca e shtëpisë ku fle beharit, nëpërmjet një “saçi”, i cili thith afro 800 stacione televizive nga e gjithë bota.

Po, në të kundërtën e rinisë tonë, atje në Shqipëri, kur rropateshim të sajonim një kanaçe, me një fare minerali që, edhe ai , thithte valët televizive të fqinjëve “revizionistë e kapitalistë”e ne të mjerët njerëz, të “Fanarit ndriçues të Europës!” mrekulloheshim, sepse na shtohej edhe një sy për ta parë ndryshe “botën e ndaluar”!

Dhe, ja tani ku e kam këtë “saç” gjigant, për të cilin nuk më “vërshëllen” askush, ndërkohë që unë gëzoj lirinë time. Paçka që më del gjumi në tre të mëngjesit e s’kam ç’të bëj tjetër veçse të shkel menjëherë butonin e televizorit që të më dalë përpara vëndi im, Piqerasi e Tirana, shoku e shoqja e dikurshme, shtëpia e deti, rruga dhe kalldrëmi i fshatit tim që më përlot. E, ja ku sot herët, shumë herët, se ç’qëlloi një film dokumentar, ku m’u shfaqen shokët e Shkollës së Lartë të Aktorëve: Edi Luarasi, Mimika Luca, Albert Verria, Aishe Stari, Serafin Fanko, Bernard Kokalari, Filika Dimo, Mario Ashiku, Bexhet Nelku, Robert Ndrenika, Agim Qirjaqi e Vangjush Furxhiu….O ZOT! Vangjush Furxhiu?! Ç’më bëre kështu, o Mevlan vëllai!?

S’kisha pak ditë që isha ndarë me ish studentin tim Mevlan Shanaj e që nuk më ndahej në ato 8 ditët e Festivalit Teatror të Gjirokastrës, ku ishim të ftuar që të dy, ai në juri dhe unë në rolin e kritikut, po edhe për fatin e çmalljes që kushdo njeri me zemër e ndjenja të mira, e dëshiron, sikundër edhe muajit të kaluar, kur u bë sebep njëfarë projekti për të “zgjuar nga gjumi Teatrin tonë!”.

Pikërisht ky projekt shqiptaro-italian-malazez, më kishte afruar rishtazi me Mevlanin në Manastirin e Pojanit, që të flisnim edhe ne të dy, (çuditërisht në një Sesion Shkencor për Teatrin, jashtë Teatrit!) brenda këtyre mureve të një manastiri, ku na solli i biri i Jakov Xoxës, Agroni, drejtor kulture në Fier, ndoshta për të rikujtuar edhe të atin e tij, Jakovin, i cili e ngrysi këtu fundin e jetës se vet, në kërkim të gjëmave të “Lumit të vdekur” ,-një perlë e letërsisë shqiptare. E unë do të gëzoja kështu edhe çastet e lumtura, që ndjen çdo mësues, kur takon pas pesë dekadash ish-studentin e tij, tashmë edhe ai me do fije floku të bardha mbi krye, aktor-regjisorin e dëgjuar e simpatik, i cili do të referonte edhe në një sesion shkencor, krahas profesorit të tij, që të mund te rishihnim edhe atë mrekulli që shfaqet kur, djali ia kalon babait dhe nxënësi mësuesit!

Dhe pikërisht aty do të mësoja se ai, ish-nxënësi, tani një burrë i pjekur nga jeta, Artist i Merituar, gjatë mungesës së “arratisjes” time të gjatë, kishte interpretuar në disa filma artistikë, kishte realizuar si regjisor për ekranin e kinemasë disa filma artistikë të tjerë, me metrazh të plotë, gjithashtu disa filma dokumentarë televiziv, të gjitha këto, krahas atyre regjisorëve e operatorëve të filmit shqiptarë që kishin studjuar në shkollat e huaja të Rusisë, Çekisë e të Hungarisë, sikundër ishin e u bënë korifej të filmit tonë artistik, si Kristaq Dhamo, Gëzim Erebara, Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Pirro Milkani…

Pa e arritur të ndjerin Viktor Stratobardha, regjisorin e parë që studjoi në Moskë e s’mundi dot “ta gëzojë ekranin” me realizimet e veta, nga “prerja e duarve” që i bëri diktatura e do t’i ngryste vitet më të çmuara të jetës nëpër burgje, tok me mua, që dikur i mësoja aktrim Mevlanit, Timos, Birçes, Saimirit , Kristaqit, Petrikës, Llazit e Minellës….Oh, këta dy të fundit, artistë të lindur, ishin “pe Korçe” edhe ata dhe nuk ndaheshin asnjë minutë nga shoku i tretë i shkollës, Vangjush Furxhiu dhe që, për fatin e trishtë, nuk i kemi më, po që, na kënaqin tani, kur i shohim në ekranin e kinemasë, që të tre, falë këtij artisti që quhet Mevlan Shanaj!

E shikon njeriu filmin e Mevlanit për Vangjush Furxhin dhe të ravijëzohet figura e tij, në të gjitha dimensionet e tij artistike e njerëzore. Befas të ringjallet njeriu i dikurshëm!

Syri i artistit ka fiksuar çaste të rralla të interpretimit të tij mjeshtëror, krahas veteranëve të skenës tonë, me një siguri e vlerë emocionale të sintezës së aktrimit, që le ta themi me zë të lartë, është një ekscepsion dhe do të jetë, jo pak herë edhe superior, brilant në krijimin e figurës artistike, me mjete shprehëse që zbulojnë natyrshëm vullkanizimin e shpirtit njerëzor, duke na i sjellë atë m’u përpara….Kemi të bëjmë me atë trajektore dhe transformim të qenies e të gjendjes që realizon artisti i madh, i lindur si i tillë, me talentin embrional të origjinalitetit vetjak.

Po, ndërsa në këtë film dokumentar, jepet me digresione bisedash prej të gjithë kolegëve potenciali përreth tij, sikundër ishin Anagnosti, Gjika e, mbi të gjithë, ish pedagogu i tij i mençur dhe fatkeq, i tij dhe i imi, Mihal Luarasi, -në filmin tjetër “Rrugët”, syri i Mevlanit tim e tuajit, sjellë në ekran të dy epokat njëherësh, me një vizion rrëqethës, herë me varfërinë e tejskajshme të mizerabilitetit, me jetën “grubo” e herë me ca shtigje të ndritshme poezie, me forcën e natyrshmërinë qe ka arti i shtatë, me ca filmime që i ka bërë edhe vet me kamera në dorë, edhe atëherë, kur ndodhi përmbysja e u zvarritë shtatorja e Enverit deri tek konviktet e studentëve, po edhe në 97-ën e tmerrshme, kur vërshëllenin plumbat e vërtetë e s’dihej prej nga të vinin edhe plumbat qorr, si edhe, aty ku punonte Mevlani, nuk guxonte më të rrinte polici akoma, tek dera e Godinës se Televizionit të Shtetit! Se, s’kishte më Shtet! Por, ky Mevlani, paskësh bërë edhe një film tjetër, që unë nuk e dija se e kishte realizuar Mevlani, filmin për bashkëfshatarin tim, për guximtarin kokë-krisur Vasil Llaçi, që e bëri vetë atë akt të shkëlqyer të heroizmit më të thjeshtë njerëzor, me atë kobure fshehur midis tufës së luleve, me të cilën “gostiti” Perandorin e Italisë, tek e përcillnin në Rrugët e Tiranës (për fat të keq, me lule!), në ato kohë të mbrapshta.

E putha Mevlanin në ballë, me një ngashërim lotësh, kur m’a tha dy javë më parë në Gjirokastër, me një modesti krejt të natyrshme, se edhe këtë film për heroin e fshatit tim e të të gjithë Shqipërisë ai e kishte bërë (!) sepse donte të ringjallte një trim, një djalosh të bukur, që edhe para litarit kërkoi, si dëshirë të fundit një krehër që të krihte balluket e të vdiste po kaq i bukur! (të cilin, për fat, aktori Kastriot Çaushi i ngjante aq shumë, saqë plakat e fshatit tim, tok me nënën time, kur e panë filmin e Mevlanit, ulëritën e thirrën se na “erdhi djali në derë!”). Ja sesi forca e artit të vërtetë, i bëjnë njerëzit që të besojnë si në mrekullitë e natyrës, apo edhe të vetë një magjie….

Loading...