MUSAI QË QEP KOSTUME…
-me Musa Ferunin, mjeshtrin që qëndis trashëgimi-
Ishte fare i holltë kur do shikonte e do ti rrinte pranë nënës Feride kur priste e qëndiste pajat e nuseve. Kur punonte me makinën e vjetër Singer, futur në shtëpi në mesin e shekullit të kaluar, por edhe kur i qëndiste me duart e saj.
Dukati, vendlindja e tij, shquhej për një traditë të fortë në veshjen e burrave por edhe të grave, ardhur si trashëgimi në breza.
Burrat, sidomos, edhe në veshjet e zakonshme gjatë ditës do të mbanin kostume popullore, qillota e pallto të zeza shajaku, këmishë të bardha me kinda por edhe festen e zezë karakteristike të kadifejtë. Madje, herët, edhe jakën e këmishës do ta kishin të zezë, tipike deri vonë për këtë fshat.
Musai më tregon se ka qenë diku në shkollën e mesme kur filloi ti ndihmonte nënës, kryesisht në dekorimin e tirqeve të bardha me kordona. Kësaj kohe i takon edhe fillimi i qepjes me makinë në të cilën do ushtrohej edhe më shumë në vitet e rinisë kur, krahas punës në kooperativë, do gjente kohën të punonte në heshtje pranë zanatit që po i bëhej i dashur. Ndërkohë që pas ushtrisë ju kushtua me gjithë shpirt e fuqi kësaj mjeshtërie që vinte si trashëgimi brezash.
Filloi të perfeksionohet në qëpjen e rrobave të leshta, në kostume tradicionale por edhe në paja për nuset e reja.
Ata që bënin porosinë i donin rigorozisht sipas traditës, pa dalë nga moda e të parëve. Të leshta dhe të qepura me gjalmë. Këmishët të bardha me kinda por edhe me mëngore në krahë.
Në Dukat si rrobaqepës tradite, si zanaçi me nam, qarkullonte emir i Sulejmën Saliut e më pas u bë i dëgjuar edhe Muhamet Hodo. Të dy këta burra kanë mbetur si zanaçinjtë më të mëdhenj të kësaj treve ku trashëgimia kulturore material e shpirtërore ka lënë gjurmë të forta.
Tani duket se në gjurmët e tyre po ecën Musa Feruni, me përvojë gati gjysëm shekullore.
Të paktën, prej vitit 1985, për këngëtarët me famë të Dukatit, artistikja ” Migjeni” e kryeqytetit është zhvendosur në shtëpinë-punishte të Musait.
Aty bëhen si dikur kostumet popullore të grupit të njohur të këtij fshati, tepër autentik në kostume e në këngë.
Ka të paktën tridhjetë e pesë vite që dukatasit e këngës dhe valles, e të treshes unikale, kur vjen puna te qepjet e kostumeve apo zëvëndësimin e aksesorëve, se kapërcejnë Dukatin.
Tani në shtëpinë e Musait, ngjitur për pllaje Karaboruni, herë-herë do të shikosh të hyjnë e dalin edhe të tjerë njerëz që nuk janë nga Dukati, bartës apo interpretë të Labërisë por edhe dashamirës që kërkojnë ta kenë kostumin si relike.
Shumë prej tyre janë emigrantë vendeve të botës por ka edhe qytetarë – turistë nga bota që porositin e marrin me vehte kostumet që qep e qëndis Musai.
Musa Feruni dukat,
Qep kostume për merak…
Dukat, 12.03.2019