Heroi i sheshit “Skënderbej” Klodian Elqeni i ftuar në studion e Why Not, në RTV Ora tha se nuk ishte rastësi që ndodhej atë ditë në shesh, por mendon që e ka dërguar Zoti.
Në 25 prill, Arben Mema hyri me makinë në sheshin “Skënderbej” duke bërë veprime të pakontrolluara dhe duke rrezikuar jetën e shumë qytetarëve.
Klodian Elqeni me aktin e tij heroik bëri të mundur neutralizimin e tij dhe nuk pati asnjë person të lënduar.
Elqeni u shpreh se është një person që nuk i duron dot padrejtësitë.
“Unë isha me mendimin që ai është me armë, sepse polici po bërtiste kujdes se është i armatosur, askush mos afrohet, por rezultoi që ai nuk kishte armë.
Ishte rastësi që ndodhesha aty, e pashë që po vinte nga larg edhe ishte një çmenduri e vërtetë, nuk e di si ta përshkruaj tani. Dua të them që unë gjithmonë kam thënë që ishte rastësi, por nuk mund ta quaj rastësi, sepse mendoj qe aty më dërgoi Zoti,” tha ai.