Më 29 tetor të vitit 2017 të gazetarja e njohur Adelajda Xhamani humbi jetën në mënyrë tragjike.
Sot bëhen dy vite pa Adelajdën dhe miku i saj më i mirë, gazetari i njohur Eraldo Rexho e ka kujtur me dhimbje dhe me një mesazh të ndjerë.
Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në “Instagram”, Eraldo shprehet se i mungon mikja e tij, të cilën e sheh kudo dhe në cdo gjë që bën. Ai shkruan se vitet nuk zbehin dhimbjen dhe se gjithçka që ka mbetur janë kujtimet e tyre.
“Vitet nuk e zbehin dhimbjen… Na paskan gënjyer Adela, koha nuk shëroka çdo plagë! Ikja jote dhemb njësoj, edhe sot, si çdo ditë. Gjithçka na ka mbetur tani janë kujtimet.
Të gjejmë në memorien e ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’, në galerinë e fotove në i-phone, në videot e shkarkuar në kompjuter, në një kërkim në ‘Youtube’, në një rikthim tek bisedat e ‘Whatsapp’… Në zyrën 40 metra katrorë, rrethuar nga orenditë që i zgjodhëm bashkë, në kolltukun ku bënim muhabetet e ditës, në tavolinën ku thurnim plane. Ti je gjithandej! Je te 21-shi, tek rruga e Kavajës, tek Blloku, në Shkozë, Kombinat e Kinostudio, je tek eventi i fundit, ku ishim dje. Jeta vazhdon, por s’është njësoj pa ty. Sepse na paskan gënjyer edhe kur na kanë thënë që nuk ka njerëz të pazëvendësueshëm. E di që në rastet e humbjeve të përhershme nuk ka vend për këtë krahasim, por unë ende po kërkoj për një bashkëpunëtore si ty.
Kam rreth vetes, plot miq e bashkëpunëtorë të tjerë, të rinj e të vjetër, por nuk po e gjej Adelën. Adelën që këndonte çdo ditë me mua, e që do të jetë gjithnjë në zemrën time. Të duam shumë dhe na mungon pafund 💔 #KurrëNukTëHarroj #PërgjithmonëAdela #2VjetPaTy”- shkruan Eraldo Rexho në Instagram.
Kujtojmë që sipas raportit mjeko ligjor gazetarja ndërroi jetë nga një infarkt kongjestiv në zemër.
Kjo ka ardhur për shkak të një sëmundjeje të rrallë, e quajtur kardiomiopati, që prek muskulin e zemrës, duke dëmtuar strukturën apo funksionin e barkusheve dhe sjell dobësimin e zemrës. Sipas mjekëve, kjo ka sjellë mosfunksionimin e zemrës dhe më pas vdekjen e 31-vjeçares.