CA FJALË TË VONUARA PO, JO TË HARRUARA…
-Në kujtim po edhe si një përshpirtje për njeriun e mirë Selim Beqiri-
Gjatë kohës së gjatë që m’u desh të merresha me punët e shoqatës “Labëria”, më ka takuar të jem disa herë pjesë e protokollit në dorëzimin e titujve të nderit të akorduara bijve e bijave të Labërisë në emër të shoqatës.
Është vërtet një moment i veçantë e emocional ky veprim, në radhë të parë për personin që i akordohet por edhe për atë që i është besuar për ta realizuar këtë akt protokollar…
Akoma e kam në sy e në memorjen time atë moment të para 3 vitesh në një nga mjediset e Pallatit të Kulturës “Labëria”, në Vlorë.
Është fjala për aktivitetin e momentin e dedikuar vlerësimit të Selim Beqirit, njërit prej bijve të njohur e të shquar të Labërisë, propozuar e organizuar nga shoqata e vendlindjes së tij “Tërbaçi”
E kisha fiksuar emrin e këtij njeriu të mirë prej fundit të viteve tetëdhjetë, kohë kur me një shërbim pune do të vinte në Tapelenë e fare rastësisht, në një aktivitet pune të kohës, do të njihte time shoqe, Teutën.
Ishte bërë me krahë kur kishte mësuar që mjekja që kishte përpara e po bisedonte ishte bashkëfshatarja e tij, mbesa e Xhebro Gjikës nga Tërbaçi.
Teuta më thotë se i kishin shdritur sytë, ishte çelur edhe më shumë e se kishte fshehur kënaqësinë që po takonte një vajzë nga vendlindja e tij.
Po, siç mësuam kur pyetëm, ky burrë rrezatonte mirësi e pikonte mjaltë kudo, për këdo, e kurdo herë…
Një burrë i rrallë, krejt i veçantë në mënyrën e të komunikuarit e të sjellurit, i mbrujtur totalisht me vyrtytet më të mira njerëzore që njeh shoqëria…
Këto kisha parasysh por edhe kështu mu duk edhe atë ditë kur simbolikisht merrte vlerësimin e lartë të Labërisë ku unë kisha fatin t’ja dorëzoja në aktivitetin e organizuar në një sallë të mbushur tej e tej me tërbeç e labër të shumtë, mbledhur nga Vlora e Tirana.
Plot emocione, modest e i heshtur, me një përunjësi proverbiale si askënd tjetër s’kisha mundur të shikoja më parë.
E ruaj si një kujtim të veçantë e të shtrenjtë atë moment ceremonial, fiksuar në fotografi, me një nga bijtë më të ndritur e plot mirësi të Tërbaçit.
…Vitet ikin dhe jeta bën punën e vet.
Bie gëzime përmes lindjesh por bie edhe ndarje, madje kësaj të fundit nuk i shpëtojnë as njerëzit e mirë.
Siç e pruri edhe për Selim Beqirin, këtë burrë të ndritur Labërie.
Më bën të them se kohës nuk i falim jo vetëm aktin e pa dëshirueshëm por edhe momentin që “zgjodhi” në këtë stinë të rëndë pandemie.
Një kohë që si miq e shokë të tij nuk mundëm ti thoshnim dot as “lamtumirë”, njeriut që tërë jetën fali e bekoi vetëm mirësi.
Por, ani pse kështu; Selim Beqiri do të mbetet përherë i pa harruar në zemrat e kujtimet e familjarëve, të afërmve, kolegëve, miqve e shokëve të shumtë!
Do të mbetet, edhe pse Tërbaçit e Labërisë ju shkëput edhe një meteor, një gurë xhevairi nga gjerdani i burrave të ndritur.