‘Ta flasim bukur dhe ta shkruajmë pa gabime gjuhën shqipe’/ Nga mësuesja e gjuhës shqipe Lejla Gorishti

Gjuha shqipe i ka të gjitha termat dhe fjalët për të përshkruar në mënyrë të plotë jetën e përditshme, prandaj nuk ka nevojë që të futen fjalë të huaja ose të përshtatura artificialisht.

RUBRIKA:
“Ta flasim bukur dhe ta shkruajmë pa gabime gjuhën shqipe”

FJALA SHQIPE NË VEND TË FJALËS SË HUAJ

– aks, ~i m. Në letërsinë tekniko-shkencore takohet ndonjëherë fjala e huaj “aks”. Për këtë fjalë gjuha shqipe ka fjalën më të përgjithshme “bosht”. Pra, duhet thënë gjithmonë: boshti i qerres, boshti i rrotullimit, boshti qendror, bosht simetrie, boshti i Tokës, makina me dy boshte etj. Me kuptim të figurshëm me të drejtë përdoret vetëm fjala bosht e jo aks.p sh boshti i dramës etj.
-aksham, ~i mb. Fjalë me prejardhje nga turqishtja, me kuptimin mbrëmje, muzg, të ngrysur, prandaj mund të përdoren këto fjalë të shqipes, siç këshillon FGJSSH, p.sh.: Të dielën në mbrëmje (në të ngrysur). Erdhi në mbrëmje (në të ngrysur).- aktivitet, ~i m. Edhe pse me burim të huaj, ka ende një përdorim relativisht të gjerë sidomos në letërsinë politiko-shoqërore. Në njëjës po përdoret me sukses fjala shqipe veprimtari, por në numrin shumës përdoret ende fjala e huaj aktivitetet. Kështu. thuhet: veprimtari politike, veprimtarishoqërore, veprimtari artistike. veprimtari krijuese, etj., por në shumës vijon të thuhet: aktivitetet artistike, aktivitetet kulturore, aktivitetet politike etj. Edhe në shumës nuk ka asnjë arsye që të përligjë fjalën e huaj, prandaj duhet të zërë vend fjala shqipe. Pra, mund të thuhet e të shkruhet fare bukur: veprimtaritë kulturore, veprimtaritë artistike etj. Lidhur me këtë shqipërim duhet përkrahur më tej edhe zëvendësimi i fjalës aktivist me veprimtar, siç ka filluar të përdoret veprimtar politik (shoqëror), veprimtarët e Rilindjes etj.
-aktual, ~e mb., aktualisht ndajf.
Fjala e huaj aktual përdoret si mbiemër kryesisht për të cilësuar kështu një ngjarje, një çështje, një gjendje, një rrethanë, një detyrë etj. që është e kohës, e ditëve tona. ose që ka rëndësi të veçantë për kohën e sotme, për çastin e tanishëm. Kështu thuhet gjendja aktuale, ngjarjet aktuale, çështje aktuale, detyra aktuale, pjesë aktuale, temaaktuale, ka rëndësi aktuale etj. Në vend të fjalës së huaj aktual duhet të përdoren, sipas rastit, fjalë dhe togje nga brumi i shqipes: i sotëm, i tanishëm, i ditës, i kohës, i kohës sonë, i çastit. Nga fjala e huaj aktual me prapashtesën shqipe -isht është formuar ndajfolja aktualisht. e cila përdoret ndonjëherë në stilin publicistik e në administratë. Edhe ndajfolja aktualisht zëvendësohet sipas kontekstit me fjalë e togje të shqipes: sot, tani, në çastin e tanishëm, në ditët tona, në kohën tonë, në gjendjen e tanishme, në rrethanat e sotme, në kushtet e sotme etj.

Loading...