“Të flasim dhe të shkruajmë gjuhën shqipe pa gabime” – Mësimi 17 – Nga mësuesja e gjuhës Lejla Gorishti

RUBRIKA
“Të flasim dhe të shkruajmë bukur dhe pa gabime gjuhën shqipe”

MËSIMI 17

Drejtshkrimi i bashkëtingëlloreve‎ s, z nistore‎

-Fjalët me s, z nistore, të ndjekur nga një bashkëtingëllore (disa prej të cilave shqiptohen ngandonjëherë edhe me c ose x), shkruhen kështu:

1) me s-, kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e shurdhët ose nga një bashkëtingëllore e tingullt (m, n, l):

sfakë, sfilit, sfrat, sfungjer, sfurk; skalit, skërfyell, skërkë, skërmit, skuq; spërkat, spërndrit; sqepar, squfur etj.;

smag, smalt, smaltoj, smat, smatos, smerald, smeril, smilar, smilat, smilatës, smirë, smirëzi, smiroj, smoking, smuqthi, snob, snobizëm, slogan etj.;

2) me z-, kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e zëshme:

zbardh, zbaticë, zbath, zbavit, zbërthej, zbokth, zbraz, zbres, zbritje, zbukuroj, zbut; zdrukth; zgalem, zgavër, zgërbonjë, zgërdhihem, zgrip; zgjat, zgjedh, zgjyrë; zvarit, zverdhem, zvogëloj etj.

Në pajtim me shqiptimin më të përhapur, me z- shkruhen edhe foljet zmadhoj, zmbraps, si edhe fjalët e formuara prej tyre.

Loading...