“Të flasim dhe të shkruajmë pa gabime” – Mësimi 11 – Nga mësuesja e gjuhës Lejla Gorishti

Mesimi 11

Të flasim dhe të shkruajmë pa gabime.

Drejtshkrimi i togjeve zanore.

-Grupi ye shkruhet i plotë:

arsye, i arsyeshëm, arsyetoj, arsyetim, dyer, fëndyell, fyej, fyerje, fyell, gjilpëryer, krye, kryesi, kryesor, kryekëput, kryeneç, lyej, lyerje (por lyrë), përlyej, ngjyej, ngjyerje (por ngjyrë), i pëlqyeshëm, përkthyes, pyes, pyetje, pyetës, i rrëmbyeshëm, rryeshëm, i shkëlqyeshëm, shqyej, thyej, thyerje, thyesë, i pathyeshëm etj.

-Grupi ua shkruhet i plotë:

tek emrat dhe mbiemrat si:

buall, buallicë, dragua, duaj, ftua, grua, hua, huazim, i huaj, muaj (por mujor-e, tremujor-i, gjashtëmujor-i), i përmuajshëm, përrua, shuall, thua etj.;

-te foljet me temë me -ua, si:

bluaj – bluan, bluajmë, bluani, bluajnë; bluaja, bluaje, bluante; bluanim, bluanit, bluanin; bluam, bluaj, bluan; të bluash; bluakam, bluake, (kam) bluar etj.; dua – duam, duan, duaje, duajeni etj.; druaj – druan, druajmë, druanim, (jam) druajtur etj.; kruaj, quaj, ruaj, rruaj, shkruaj, shuaj etj., si edhe te shumësi i së kryerës së thjeshtë, te habitorja dhe te pjesoret e foljeve me temë më -o: mësuam, mësuat, mësuan; punuam, punuat, punuan; sulmuam, sulmuat, sulmuan; mësuakam, mësuake, mësuaka, mësuakemi, mësuakeni, mësuakan; punuakam, punuake, punuaka, punuakemi, punuakeni, punuakan; mësuar, pajtuar, përtuar, punuar, sulmuar, treguar etj.

Të dallohen prej trajtave me ye, ua të foljeve të tipit kryej, bluaj, trajtat pësore-vetvetore, të cilat nuk kanë grup zanoresh: kryhet, thyhet, bluhet, shkruhet etj.

-Shkruhen me ue emrat dhe mbiemrat foljorë të formuar me prapashtesat -s dhe -shëm nga folje me temë më -o / -ua; po kështu shkruhen edhe fjalët e formuara prej tyre:

botues-e, dëgjues-e, edukues-e, gatues-e, mësues-e, ndërtues-e, parashikues-e, pastrues-e, përpunues-e, plotësues-e, shkrues-e, vetëmohues-e, vetëshkarkues-e, vetëveprues-e etj.;

i afrueshëm, i dëgjueshëm, i gëzueshëm, i paharrueshëm, i papajtueshëm, i papërtueshëm, i pazëvendësueshëm, i shoqërueshëm, i vajtueshëm, i vazhdueshëm, i vijueshëm etj.

Mësuesja e gjuhës shqipe
Lejla Gorishti.

Për të ndjekur mësim plotësues të gjuhës shqipe falas mund të kontaktoni :
Tel : 0675270616 ( Lejla)
Facebook : https://www.facebook.com/lejla.gorishti

Loading...