Trioja e vërtetë e Vlorës është e vitit 1912
Nga Laureta Petoshati
Unë nuk kam dashur që të flas për muzikën, sepse edhe pse kam bërë muzikë disa vjet, kam qenë në kore të ndryshme qysh fëmijë, prapëseprapë nuk jam kompetente për të. Kam dashur që të flasin njerëzit e muzikës, ata që kanë studiuar për të. Gjithsesi, meqë prej shumë kohësh kam punuar gazetare, por dhe natyra ime kureshtare për të mësuar histori e ngjarje të vjetra, kam mësuar ca të vërteta, për të cilat jam atakuar. Jo vetëm kaq, por dhe shumë shkrime të mijat, ngaqë duart e njerëzve që duan të shtrembërojnë të vërtetën futen ngado, nuk më janë botuar këtu, por në Amerikë. Ato unë kam dashur ti botoj kur njerëzit ishin gjallë dhe ashtu bëra. Tani, meqë njerëzit po ikin një nga një, dua që të sqaroj dhe diçka për këngën qytetare vlonjate meqë Lefter Çipa është ende i gjallë dhe di më shumë dhe për më tepër ka një djalë gazetar të mirënjohur, i cili duhet ti shkruajë. Prita, por ai është njeri zemërbardhë dhe nuk do që të prishë qejfe, por flet me kode e postulate që të kuptojnë. Por unë kam vendosur që të mos hesht. Sepse i kam bërë një intervistë që zgjati tre ditë që më 2006 dhe më tha erdhi dita e rrëfimit. Ai mu rrëfye atëherë dhe më tha që diçka të mos e shkruaja. Unë nuk e shkrova. E kam lënë për në fund të këtij shkrimi.
Nuk më vjen mirë që vendosin Bilbil Cenën , si themelues të këngës qytetare vlonjate. Kur ishte krijuar shtrati i këngës qytetare vlonjate, Bilbil Cena ishte akoma në Përmet.
Kënga qytetare vlonjate, apo më mirë trioja vlonjate, është krijuar më datën 16 janar 1912 në Kishën Katolike të Vlorës , që mblodhi gjithë qytetarët e saj: katolikë, ortodoksë dhe myslimanë. Kjo sepse u bë një meshë në Ditën e Shën Donatit , shenjtorit nga Vlora. Ja se çfarë shkruan gazeta “Liri e Shqipnies” e datës 5 prill 1912 në Sofje:
“Kisha katolike e Vlorës nën kryesitë e Dom Markut predikon përherë shqip dhe do të mbahet mend për jetë ajo ditë q’u predikua më gjuhë shqip. Njerëzia s’kishin parë piano në kishë, në këto lutje ndihmuan dhe nga ordhodoksët e këtushmë, e bija e z. Pozio, Evridhiqi me mandolinë, po më shumë me atë zënë ëngjëllorë na mbushi zemërnë plot gaz, zëri i saj tingëllonte në kishë: ki mëshirë o Zot për këtë robëri të shkretë, etj. Liroje Shqypninë, o Zot, etj. Kisha qe mbushur me njerëz muhamedanë e të krishterë”.
Këtu lindi dhe fjala treshe, apo trioja vlonjate, që ishin tre instrumentistë që këndonin: Dom Marku që i binte pianos, Niqi, (Evridhiqi Pozio) që i binte mandolinës dhe Llami (Elham Kanina, kushëri i parë i Zihni Abaz Kaninës firmëtarit të Pavarësisë), i cili ishte mysliman dhe shumë i ri në moshë. Ai nuk dinte të lutej. Kjo ishte trioja vlonjate që këndonte dhe mbas kishës, ndërsa Llami i binte violinës në heshtje edhe në meshë, pasi ai ishte dërguar qysh i vogël në Vjenë të Austrisë për të vazhduar shollën, ku mësoi dhe këtë instrument. Emri i tij, nuk është dhënë dhe për shkak të përbuzjes që bënin jo vetëm se ishte një njeri nga familje e pasur, por dhe se si një mysliman shkonte në kishë duke e quajtur të zhveshur nga feja, siç quanin Bektash Berberin nga Berati, që i shkruante patriotit Ibrahim Shyti më 20 mars 1912 se “po këtu njerëzit e qeverisë po të më shohin mua në derën e burgut do të thonë erdhi ai i zhveshuri nga feja” ( Libri “Nga epistolari i Ibrahim Shytit në Vlorë” i Dr. Bardhosh Gaçe, f. 81.)
Patriotët shqiptarë gjatë viteve të kryengritjeve antiosmane 1910-1911 aktivitetet që zhvillonin në shkolla i bënin me frymë të theksuar atdhetare, madje duke aktivizuar dhe vajzat si te shkrimi “Letër nga Kanina”, botuar në “Liri e Shqipnies” e datës 10 mars 1911 në Sofje: “Nxënësia Nezmieja me vjershat e bukura që këndoi, me zërin e engjëllit i bëri gjithë dëgjonjësit të derdhnin lotë të mallëngjyeshim.” Pra në këtë frymë, u fut dhe Llami rreth 13 vjeç në atë kohë, për të bërë diçka për Shqipërinë e robëruar.
Ky unitet, që kishte të bënte me tre fetë në Shqipëri atë kohë, i vuri kësaj orkestre të vogël emrin trioja vlonjate, si e bekuar në ditën e Shën Donatit, shenjtorit nga Vlora që ishte shenjt si për katolikët, ashtu dhe për ortodoksët. Madje meqë, 16 janari, “alla turka” i binte data dy janar 1912 edhe myslimanët e quanin “Shën Donati vlonjat i mrekullive”, pasi ai vit u mbyll me pavarësinë e Shqipërisë. Ja si e përmend Hasan Dosti te “Shejzat”, XIII, 1969, 10-12, f.440, këtë shenjt, por dhe ngjarje që pasuan në Vlorë më tej, (për të cilat do të flas më vonë):
“Fano Noli i zgjedhur deputet në Dhomën e Parë të Shqipërisë në pranverën e 21-së, zbret në Vlorë në Bethlehemin ideal të Shqipërisë, Shën – Donatit vlonjat të mrekullive. Këtu, peshkopi që nuk ishte deklaruar kanonik, i pasuar prej një vargu të gjatë djemsh të rinj orthodoksë, që ndjekin shembullin e atyre të Amerikës, hap portat e Kishës së Shën Vllasit dhe meshon e predikon në gjuhën shqipe. Është e para herë që në Shqipëri celebrohet mesha në gjuhën shqipe. Pastaj Noli shkon në Korçën lule.”
Por le të mbetemi te trioja e famshme. Këngët që u kënduan mbas meshës ishin këngë arbëreshe, pasi në Vlorë gjatë një periudhe shumë të gjatë, si i ati, ashtu dhe Eqerem Bej Vlora patën sjellë disa prej tyre duke i punësuar, por dhe duke marrë mësime për shumë gjëra. Por kënga e parë e kësaj tresheje ka qenë “Unë të mblodha rradhë, ti më mbive tok”. Përse kjo këngë? Sepse në letrat para vitit 1908, që Ismail Qemali u dërgonte mësuesve të fshehtë fliste me nënkuptime fjalën “farë borziloku”. Shumë njerëz që nuk i kuptonin këto kode, por shihnin vazo të papara borziloku te shtëpitë e kryetarit të bashkisë së asaj kohe Abaz Mezini, si dhe mësueseve Hamit Lumit, Jani Mingës, Xhafer Drashovicës, Leonidha Naçit, i cili ishte delegati i Vlorës në Kongresin e Manastirit, filluan ta mbillnin borzilokun në modë. Kjo gjë ndodhi mbas vrasjes së mësuesit Musa Çakërri më 1905 nga pushtuesit osmanë pasi i gjetën abetare shqip. Meqë Zihni Abaz Kanina, një diplomat me pesë gjuhë të huaja, mbaruar Universitetin e Gallatasaraj, nuk mund të vendoste këngë patriotike në kishë pas meshës që mbikëqyrej dhe as të dilte vetë në skenë, sepse kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu i Turqisë, dërgoi kushëririn e tij më të vogël në moshë ,të luante në violinë këngën “unë të mblodha rradhë ti më mbive tok”, si një mesazh të koduar (të mblodha në vend që të mbolla, tregonte një mesazh bashkimi). Kjo treshe vazhdoi dhe pas pavarësisë. Por ajo që është më e bukur, është fakti se kjo këngë u këndua më vonë, në Pashkën e datës 7 prill 1912 me një kor burrash fantastik të të tre feve. Ky kor vazhdoi dhe më vonë dhe përgatiti shtratin e Luftës së Vlorës 1920. Dua të theksoj dhe diçka tjetër se kur Elham Hamzaraj, që i thonin Llami, aq sa e mendonin ortodoks, shkoi për studime në Napoli, në një klasë kolegji me Totonë e famshëm, e zëvendësoi një djalë nga Shkodra. Një mrekulli më vete ishte dhe ardhja në Vlorë e Shtjefën Gjeçovit, si meshtar dhe ai solli në Vlorë herë pas here djem katolikë. Vlora duhet tu ngrejë monument këtyre dy meshtarëve, që iu gjendën në çastet më të vështira. Madje Dom Mark Vasën, pushtuesit italianë e internuan në Itali më 1918 dhe i sekuestruan gjithë materialet që nuk kishin të bënin me fenë, por me propagandën atdhetare. At Shtjefën Gjeçovi më 1920 ka bërë meshë prapë ditën e Shën Donatit të mrekullive, para se të nisnin përgatitjet për Luftën e Vlorës, prandaj ishte ai që e ngriti Flamurin e fitores me Major Ahmet Lepenicën. Atë shprehjen se “kemi Bajram e Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë” të At Gjergj Fishtës, i cili bëri meshë për Shën Donatin edhe në Shkodër më 1912, e solli në Vlorë Leonidha Naçi, i cili e njihte personalisht që gjatë Kongresit të Manastirit.
Trioja Vlonjate e Mëvonshme
Trioja e mëvonshme nuk i ngjante aspak asaj të parës. Shumë djem të Vlorës mbas Luftës së 1920 u morën me punë për ringritjen e ekonomive të tyre. Shumë ishin të pasur dhe nuk i lejonin të këndonin pasi martoheshin. Por një rol të madh për mbushjen me aktivitete ka luajtur dhe shkolla Tregtare ku më vonë Drejtor i Përgjithshëm i saj ishte Zihni Abaz Kanina, që ishte profesori i frëngjishtes së Petro Markos, për të cilin ai shkruan tek “Intervistë me vetveten –Retë dhe Gurët” fq. 58 : ”Pas Kolë Kamsit , drejtor na erdhi Zihni Hamzaraj nga Vlora. Ai na mësonte frëngjisht. Mua më donte dhe më thoshte: “Bouche d’or et bouche-argent” (Gojartë e gojë-argjend). Zihni Hamzaraj ashtu si futi kushëririn në kishë, më vonë i shkroi Nolit që të fuste vajza në shkollën tregtare, madje dhe vajzën e tij.
Nisjen e këtij shkrimi unë e nisa duke folur për Lefter Çipën, i cili u mor për Trion e mëvonshme dhe pastaj iku. Atë e thirri Themistokli Mone, i cili kishte pasur një traditë familjare me këndimet në kishën Ortodokse të Vlorës bashkë me familjet e Tol Arapit, Papa Isait, Pilo Kiços, Jan Lefterit, Doktor Simoidhit, Kol Karbunarës, apo dhe familjeve të tjera si Bezhani, Minga, Moçka, Papajorgji, Konomi, Skrame, Zhezha, Shtrepi, Naqo, Prendi, Koçi, Kafia, etj. të cilët ishin besimtarë praktikantë dhe këndonin dhe më vonë. Shumë nga këta kënduan dhe në grupe me instrumente mbas çlirimit si usta Mihal Zhezha, Bardhyl Zhori, Gjysh Çobo, apo Gaqo Shtrepi, të cilëve më tej iu bashkuan dhe të tjerë si Kostandin Thana, Besharete Ismaili e Reshat Osmani, etj.
Ajo që duhet të theksoj është se ka pasur një vijë ndarëse midis këngës qytetare vlonjate dhe këngës popullore qytetare vlonjate. Kënga qytetare vlonjate ka pasur pianon, mandolinën dhe violinën. Një nga këto këngë ishte “Dhe flamuri kuqezi”, “Vlora Vlora”, Këngët e Neço Mukës, “Unë të mblodha rradhë” e shumë të tjera patriotike që nuk kishin vijë ndarëse se të kujt qyteti ishin dhe kur më vonë u fut Bilbili dhe Arsim Ceno, ishte këngë popullore qytetare se futi defin dhe klarinetën si në dasmat që shkonin. Këtu u fut grupi i sazeve që ishte një vlerë e shtuar për qytetin dhe kultura muzikore vlonjate ishte si një mozaik me shumë ngjyra. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shumë djem të Vlorës përfunduan kampeve të përqendrimit dhe mbas saj, shumë pak u afruan. Themistokli Mone u mundua që të fusë frymën e vjetër, ata të këndimit me kore sipas kulturës të marrë në Kishën Shën Vlashi të Vlorës, por dhe atë të kishave në Romë, ku kishte përfunduar studimet në Liceun e Romës dhe kishte fituar konkursin për të vazhduar më lart, por lufta dhe mbyllja e kufijve e ndaloi. Ai kishte lindur një vit para Luftës së Vlorës nga një familje tregtarësh dhe emrin Themistokli nuk e kishte pa qëllim. Profesor Liu, siç e thërrisnin, i ka këngët sipas traditës qytetare të Vlorës, të shtruara dhe pak mistike. Ai kishte dëgjuar për talentin e Lefter Çipës, që kishte veshë muzike, që njihte notat, por mbi të gjitha që ishte i pasionuar pas këngëve të Neço Mukës. Ishte një bashkëpunim shembullor. Kënga “Thëllëzat kur hedhin valle” është produkt i të dyve. Këngët e tyre mund të këndoheshin dhe në korale. Ky ishte ndryshimi i këngëve qytetare nga këngët popullore qytetare. Apo më mirë ky është ndryshimi i këngëve të Themistokli Mones nga ato të Reshat Osmanit. Prandaj profesor Liu u dërgua shkollë më shkollë dhe evidentonte talente. Ajo që e stepi profesor Themistokli Monen nga krijimtaria ishte frika nga regjimi. Por ai ishte për tu adhuruar. Kënga “Vlora jonë qytet i bukur”, është shkruar nga Lefter Çipa, për nder të Themistokli Mones, Petro Markos, Vangjel Karbunarës, Elham Hamzarait dhe shumë djemve të tjerë, që studiuan nëpër botë dhe u kthyen në Vlorë. Ishte aktuale edhe për ata që studionin jashtë edhe në kohë të regjimit, apo në Tiranë. Lefter Çipa e shkroi dhe Themistokli Mone e kompozoi. Të nesërmen e gjetën tekstin të ndryshuar. Që nga ajo ditë ai filloi të pinte dhe Liu mbeti i vetmuar. Kjo gjë Lefterit iu duk tradhti ndaj Petro Markos. Lefteri u kthye në Pilur dhe nuk donte të rrinte më në Vlorë. Madje që ta zbusnin e takuan dhe me Enver Hoxhën, por kënga ngeli në veshët e atyre që kishin bërë prova. Nuk i pëlqente që shumë këngë polifonike të shoqëroheshin me gërnetë e def, se sipas tij “polifonia vdes e virgjër, nuk pranon burrë.” Ka ardhur koha që këngëtarë e instrumentistë të talentuar të Vlorës , që Vlora i ka me shumicë, të arrijnë të bëjnë një ringritje, një stad tjetër të këngës qytetare vlonjate dhe të mos i vënë gërnetën polifonisë se kot nuk ka dalë ajo shprehje në Vlorë “e mori gërnetën”.
Kënga “Vlora jonë qytet i bukur është kjo” :
Vlora jonë qytet i bukur
rreth e qark o me ulli,
djem e vajza porsi flutur,
gjithmonë do kthehen tek ti.
Pritna ti moj Vlorë e dashur
Pritna ne,
Ëndërr natën, këngë ditën
Je për ne.
Me ullinj e portokalle,
Mbushur bregu me limonë,
Djem e vajza si sorkadhe,
I nxjerr gjiri i Vlorës sonë.
Pritna ti moj Vlorë e dashur
Pritna ne,
Ëndërr natën, këngë ditën
Je për ne.
Lefter Çipa, këtë tekst ia kishte dhënë një miku të Petro Markos, Luter Shytit për t’ia shtypur në makinë shkrimi aty ku punonte dhe ata e kishin ruajtur një kopje, madje e motra, Godiva Shyti, ia dorëzoi. Por nuk më takon mua të flas.
Si përfundim, unë nuk dua që të vë në sherr këngën qytetare vlonjate dhe këngën popullore qytetare vlonjate, pra ato dy motra, siç thotë Lefter Çipa për polifoninë dhe iso polifoninë. Nuk jam eksperte këngësh, por tekste këngësh kam shkruar qysh fëmijë dhe pjesën më të madhe të jetës e kam kaluar në Shtëpinë e Pionierit “Bajram Tushi” me Ariana Gjikën, Edmond Papën, Petraq Capon, Rifat Lleshin, Neptun Gjata, Marina Frashëri, Arben Zhezha, Krenar Zanko, Mimoza Minga, Mira Ruka, Aleksandër Rrapi, e më vonë kam pasur bashkëpunime me Oleg Arapin, i cili nuk e ndante fizarmonikën nga supi. Si gazetare kam parë, kam dëgjuar, kam shënuar. Fola se muzikantët e Vlorës kanë rënë në heshtje.
Trioja e vërtetë e Vlorës është e vitit 1912! – Nga Laureta Petoshati
Loading...