‘Visare trashëgimie’/ Me instrumentistin laureant të Labërisë, Nazër Kongjinaj/ Nga Sejmen Gjokoli

Nga cikli “Visare trashëgimie”
NAZËR KONGJINAJ I BRATE
-Me instrumentistin laureant të Labërisë, Nazër Kongjinaj-
Për të parën herë sharkun e çobanit e ka hedhur krahëve në vitin 1973, atëherë kur edhe do të performonte për herë të parë në festivalin e kombëtar të Gjirokastrës.
Dhe prej at’here nuk e ka ndarë nga supet gjatë gjithë jetës së tij koncertore, në të gjitha herët që i është dashur të dalë në skenë si instrumentist popullor.
Gati e pa besueshme por e vërteta mbetet e vërtëtë. Sa i kishte mbushur gjashtë vite jete kur do të dilte për herë të parë si instrumentist popullor në një takim folklorik të shkollave të Lumit të Vlorës. Sa kishte nisur klasën e parë.
I jati, Haxhi Kongjinaj, i njohur si fyelltar në fshat e në krahinë, i pat bërë një fyell me kallam shtogu. Vetëm katër bira, nga shtatë, njëra nga të cilat për të realizuar kthimin, nga pjesa e mbrapme.
Dhe ashtu, si pa kuptuar, dashuria për instrimentin e fyellit do ti bëhej pjesë e pasioneve të vegjëlisë sidomos në mjedisin baritor të vendlindjes, Bratit e krahinës labe.
Ky pasion e kjo dashuri për meloditë me avaze labërie nuk do ti ndahej as në kryeqytet ku gjatë viteve të kryerjes së gjimnazit “Petro NinI”, falë edhe nxitjes e përkrahjes së bashkëkrahinorit të tij Kujtim Rrapi, aso kohe drejtor i pallatit të kulturës “Ali Kelmendi”.
Ky drejtues kulture që në zyrën e tij, mes orendive të tjera, mbante edhe cylën e dyjaren do ta aktivizonte të riun Kongjinaj në shumë koncerte e veprimtari folklorike që ndodhnin në kryeqytet..
Kështu shkolla e mesme, krahas dëshirës për dije e kulturë do ti jepte Nazër Kongjinaj edhe dashurinë për skenën e publikun, dashuri që do të konsolidohej në mënyrë të pa ndashme në Gjirokastër, në qytetin ku gjatë viteve të kryerjes së Institutit Pedagogjik do ti vinte “vulën” e instrumentistit mjeshtër, gati të pa besueshëm për një student mësuesie.
Prej këtu, nga auditori i shkollës së lartë, do të ngjitej edhe në skenën më të madhe kombëtare të folklorit, tanimë si përfaqësues i grupit folklorik të qytetit të gurtë.
Ishte viti 1973, i dyti festival kombëtar, kur Roland Çene, atëkohë njeriu kryesor i muzikës pranë pallatit të kulturës, mbasi e kishte bërë pjesë të ansamblit folklorik të rrethit, atë tetor do ta ngjiste në sofrën e madhe të Kalasë.
Të mos harrojmë se ato kohë duhet të sfidoje disa instrumentisë me jo pak nam në fyej e dyjare që kishte rrethi siç ishin mjeshtrat e Picarit, Zhulatit e Golëmit.
Avazet tipike baritore të barinjve të staneve labe mbushën bedenat e kalasë dhe, sipas kronikave të kohës, u përcollën me duatrokitje të mëdha.
Akoma ka mbetur në memorje nga ajo kohë jo vetëm interpretimi virtuoz i këtij student lab por edhe paraqitja e tij skenike me fyell në buzë, sharkun hedhur krahëve e kërrabën e çobanit mbështetur.
Sharkun e kërrabën si ndau kurrë nga vehtja në skenat e vendit e të botës më vonë, krahas culës së “florinjtë”.
Jo më kot juria e festivalit në mbrëmjen përmbyllëse do ta shpallte Nazër Kongjinaj “Laureant të festivalit” ndërkohë që një vit më vonë do ti akordohej medalja presidenciale “Naim Frashëri”.
Po, meloditë plot melos të maleve të jugut, Nazër Kongjinaj pati rastin ti “derdhë” edhe viseve veriore kur për tri vite do të kontribuonte në Bulshar të Oroshit në ushtrim të profesionit të tij si mësues i histori-gjeografisë.
Kujton aktivitetet e shumta me orkestrën fantastike të Mirditës dhe shkrirjen e tingujve të cylës së labërisë me meloditë plot epika e lirika të çiftelive veriore.
Nuk di sa do të kisha vazhduar atyre anëve në se nuk do ishte bërë sebep festivali kombëtar i ’78-tës, më thotë Nazëri.
Kishin nisur përgatitjet kur më kërkuan ti bashkoheshi grupit përfaqësues të Vlorës. Drejtuesit e kulturës nuk mund të lejonin të ndodhte ajo që ngjau pesë vite më parë kur dola me Gjirokastrën.
Po dhe unë nuk mund të vija e të ikja prapë. Këtu është rasti të kujtojë drejtuesin e kulturës të asaj kohe në Vlorë, Piro Cakrani nga ku falë këmënguljes së tij u realizua edhe transferimi për në një nga shkollat e krahinës së vendlindjes, Lumit të Vlorës.
Pjesëmarrja në festivalin e tretë kombëtar të vitit 1978 për Nazërin do të ishte edhe i dyti radhasi, por i pari në përbërje të grupit përfaqësues të vendlindjes së tij, Vlorës.
Kuptohet në këtë përbërje Nazër Kongjinaj vinte si laureant i shpallur në festivalin e pesë viteve të shkuara dhe së bashku me Vendim Kapaj, atëkohë tetëmëdhjetë vjeçar, do të realizonin një dyshe krejt të veçantë për nga harmonizimi i funksioneve solistike të cylës e dyjares së Labërisë.
Ajo që e bën të veçantë mjeshtërinë e këtij instrumentisti popullor është edhe përdorimi i një lloi të veçantë fyelli, atë me pesë bira në pjesën e përparme, më i shkurtër se fyelli i zakonshëm shpesh herë të quajtur Xambare.
Me këtë instrument prej tunxhi të zverdhëlluar, katër vite më pas, Nazëri do të merrte pjesë në takimin kombëtar të instrumentistëve popullorë në qytetin e Shkodrës nga ku do të vlerësohej me çmimin e parë të festivalit.
Por magjinë e tingujve të melodive të shpirtit të tij prej artisti të vërtetë, avazet aq të veçanta e autoktone të fyejve të barinjve në male, Nazër Kongjinaj do ti derdhë edhe skenave europianë.
Francën që shënon edhe përballjen e parë me “botën” tjetër do ta shkelte në përbërje të ansamblit “Labëria” në vitin 1989 ndërkohë që Moladavinë, Italinë e Hollandën në vitet që do të hapeshin kufijtë, në përbërje të Folk Grup “Bilbili”, Vlorë.
Kështu emiri I Nazër Kongjinit gjëndet i shkruar si një nga folkloristët pjesëmarrës të festivalit të parë botëror të folklorit zhvilluar në Brunssum të Hollandës në vitin 1996.
Nazër Kongjinaj vazhdon të mbetet një emër i madh në aradhën e instrumentistave popullorë të Labërisë veç të tjerash edhe për faktin që cylën e tij xambare nuk e ndau kurrë nga buza, kudo ku shërbeu një jetë të tërë, në auditoret e nxënjes në edukim të brezave por edhe si punëtor i pa lodhur i kulturës.

Loading...