Ferri, një figurë e shquar dhe i cilësuar shpesh si legjendë, nuk ia doli dot në betejën kundër një sëmundjeje të rëndë.
Por kush ishte Xhevdet Ferri dhe veprat e tij?
I lindur me 26 nëntor 1960 në Durrës, Xhevdet Ferri hyri në botën e kinematografisë që në moshë të re kur ishte ende student në Akademinë e Arteve.
Ferri u diplomua në vitin 1982 në degën e dramaturgjisë, por vazhdoi të ishte pjesë e Akademisë së Arteve si pedagog i mjeshtërisë së Aktorit, për t’u ngritur më pas në detyrë si Dekan i po këtij fakulteti.
Xhevdet Ferri arriti tek publiku me 30 role të luajtura në kinematografi e teatër, ku suksesin më të madh e ka shënjuar në filmat artistikë që nga debutimi i parë në 1980 tek filmi “Skëterrë ‘43” e deri tek filmi i fundit “Në kërkim të kujt” në vitin 2009.
Megjithatë, Ferri ka pasur edhe pozicione të tjera përgjatë jetës dhe karrierës së tij, teksa kujtojmë se në periudhën 1995-1999 ka qenë Drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, pozicion që e mori më pas edhe në vitin 2006. Sakaq, në vitet 1999-2001 ka drejtuar Teatrin Kombëtar.
Po ashtu gjatë viteve 1996-1998, Ferri ka qenë deputet në Kuvendin Popullor, i zgjedhur në radhët e Partisë Demokratike.
Nuk duhet lënë mënjanë as fakti që Xhevdet Ferri u specializua në fushën e “Menaxhimit të Institucioneve Artistike” në Amsterdam dhe Oxford. Ndërsa në vitin 2004 u bë bashkëthemelues i Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë, duke e drejtuar i pari këtë shoqatë.
Nga përditësimet e fundit mësohet së varrimi i të ndjerit Xhevdet Ferri do të bëhet ditën e nesërme në Sharrë në orën 13:00, por nuk do të ketë homazhe pasi kjo ka qenë edhe dëshira e tij.
Filmat ku Xhevdet Ferri ka luajtur (në shumicën si protagonist):
1980 – Skëterre 43 – Arjani
1980 – Vëllezër dhe shokë – Marko
1981 – Gjurmë në kaltërsi – Astriti
1982 – Era e ngrohtë e thellësive (Film TV) – Arben Bano
1982- Besa e kuqe. – Pali
1984 – Fushë e blertë fushë e kuqe – Petriti
1984 – Vendimi – Sadriu
1985 – Hije që mbeten pas – Agroni
1986 – Dhe vjen një ditë – Gori
1987 – Përrallë nga e kaluara – Trimi
1988 – Treni niset më shtatë pa pesë – Martini
1990 – Vitet e pritjes – Gjon Kodri
1994 – Larg barbarëve/Loin des barbares – Emigranti
1998 – Dasma e Sakos – Sako
2004 – Saimir – Edmondi, babai i Saimirit
2006 – Gjoleka,djali i Abazit – Shoferi i autobuzit
2007 – Koha e kometës – Bashkëshorti i Agnes
2009 – Gjallë – Alive! – Zefi
2009 – Në kërkim të kujt – Prokurori.