Zëri kristal i Smokthinës Hysen Ruka ,këngëtari virtuoz i Labërisë!

Nga cikli: “Visare Trashëgimie” të Sejmen Gjokolit

ZËRI KRISTAL I SMOKTHINËS

-me Hysen Rukën, këngëtarin virtuoz të Labërisë.

“Në Çipin përmbi Smokthinë,

Palla labe bën kërdinë…”

Janë vargje që në këngë i ka derdhur si në monument Hysen Ruka.

Disa thonë që ka ngjallur stilin e të kënduarit qazimademçe, dikush thotë salikodalançe dhe kështu Hysen Ruka, ky këngëtari i madh i këngës smokthinjoçe edhe sot vazhdon të gjendet mes të dy modeleve. Por edhe duke dalë “sua” më vete.

E vërteta është se me të dy mademet, ndonëse në kohë të ndryshme, Hysenin e lidhte gjeni.

Me të parin, Qazim Ademin i ndarë nga një zjarr, kushëri i parë i të atit, i dyti, Saliko Dalani daja i tij.

Nga Qazim Ademi ka jo vetëm intonacione kënge por edhe emrin që gëzon, ndonëse kur ai u nda nga jeta në ’39-n, Hyseni ishte vetë dy vjeç.

Me qazimademçen po por kam shumë arsye që më lidhin më tepër me salikodalançen – më tregon Hyseni.

E kisha dajë po edhe shumë afër shtëpitë tona në Ramicë.

Sa herë kur isha i vogël, në dimër sidomos, darkave shkoja te dajë Salikua.

E kish zakon që atje pranë zjarrit të oxhakut, me faqoren e rakisë përpara ja merrte këngës. Vetë ja merrte e vetë ja kthente po pa shumë zhurmë, ngjante si mërmërimë burri.

Më çudiste ajo që bënte dhe duke parë e dëgjuar fillova dhe unë ta imitoja. Deri sa një darkëherë më vuri tja ktheja, u bëmë dy. Herë- herë merrte dhe kë të ndodhej në shtëpi për iso.

Aq qe dhe kënga mu fut në damarë.

Në ‘67 kur do ngrihej grupi i fshatit tonë, nga Vlora erdhi Timo Vojniku, përgjegjësi i pallatit të kulturës.

Aty kënduam si të organizuar për herë të parë.

Më vonë na mblodhën në Vlorë për të zgjedhur grupet për festivalin e Gjirokastrës. Kishte nisur viti 1968, në Tetor bëhej festivali.

Hera e parë që ngjiteshim në skenë, përballë komisioni me specialistë kulture.

Mes tyre Themistokli Mone që ishte udhëheqësi artistik.

Kjo është simfoni-u thoshte dhe, ndonëse kënga mbaronte më kërkonte ta përsërisja prapë.

Si kthyes i parë ka qenë Ramo Tarja- më thotë por unë më shumë kam kënduar me Piro Tafilin si ndërsa në iso kanë qenë Begë Birçaj, Xhevit Zeneli, Brahim Birçe, Petrit Cano etj.

Kështu në festivalin e parë kombëtar në 1968 por edhe në të dytin në 1973 grupi polifonik i Smokthinës, me këngët e Hysen Rukës do të tundte Kalanë e gurtë.

Dhe pa asnjë mëdyshje, përtej teksteve që vinin si mëshirim i kohës që këndohej, ato këngë mbeten monumente të padiskutueshme vlerash, si stil, si interpretim e si avaz.

Asnjë herë Labëria, në këngë, nuk ka pasur një zë më tingëllues e më timbrik se Hysen Ruka.

Një vokal kaq të kristaltë po dhe kaq të metaltë si ai; me fuqi dhe vibracione drithëruese të pa krahasueshme.

Në këngët e Hysen Rukës duket se lëviz skena, sikur je mbi dete e në tramundanë, dhe ajri duket se pështjellohet.

Në ekuilibër, si mbi valë, lundron vetëm kënga,

kënga e Hysen Rukës, qazimademçe e salikodalançe bashkë. Krejt e veçantë në llojin e vet. Po në radhë të parë ajo tani ka krijuar brendinë e vet me vulën që mban siglën e personalitetit të tij kulturor ku, bashkë me dijen, nxënësve që edukoi për gati gjysmë shekulli u mëkoi edhe dashurinë për këngët e të parëve të tij.

Një trashëgimi shpirtërore e ngjizur e e përcjellë në breza.

Tre burra që bëjnë këngë…

– Për treshen e famshme të Dukatit; Leko Gjoleka, Bego Vangjeli e Sulo Bozhani, dekoruar me “Mjeshtër i Madh”.-

Do nisnin të bënin emër qysh kur ishin njëzetvjeçarë, atë kohë kur në FFK të Lezhës, andej nga viti ’66 i shekullit të kaluar, do këndonin këngën që hyri e mbeti gjatë në histori : “Pesëqind vjet kanë kaluar, Kapedan o Skënderbe…”, me tekst të rapsodit që më vonë do njësohej me vet grupin e Dukatit, Dule Havari.

Në fakt në skenë, jashtë fshatit e Vlorës, ishin ngjitur dy vite më parë, më 1964 kur në Elbasan do organizohej një koncert i madh për shkollën shqipe. Këto ishin dy daljet e para për tre djemtë e rinj dukatas në skena kënge, dy dalje që i prinë daljes së madhe të vitit 1968, në Kalanë e Argjirosë, aty ku nisi FFK i Gjirokastrës dhe që, prej atëherë, edhe dukatasit e këngës nuk do të ktheheshin më pas. Në Festivalin e parë të Gjirokastrës u ngjitën me këngë, valle e cyla dyjare, ndërkohë që pesë vite më pas, në 1973 me të rrallën Pika Gjoleka do të tronditnin mjediset polifoni-dashëse me të pa përsëritshmen plot patos e ritme si erë Llogaraje ” O trima flini të qetë…”. E veçanta e grupit historik të Dukatit, veç këngës e valles plot shpirt e duf, mbetet një Treshe karakteristike që ka lindur atyre anëve, është lëvruar e përsosur po aty e tjetër kund as mund të kopjohet e as mundesh ti afrohesh.

Deri sot e pa ngjizur në tjetër derë. Kjo këngë, ky lloj të kënduari, pa as më të voglin dyshim djepin e ka në Dukat. Dhe ka mbi gjysmë shekulli që zot autentikë ka tre burra. Të tre të pa ndarë, të tre tok, të tre shok, të tre kokë më kokë.

Leko Gjoleka, Bego Vangjeli e Sulo Bozhani – tre burrat e këngës monumentale, gati proverbiale…Një pirusti e përkryer njerëzore si e prerë për këtë mënyrë të kënduari. Tre burra që të vetëm e pa asnjë tjetër e pa u kuptuar fare, ashtu me bërrylin e dorës mbështetur mbi njërën këmbë e pëllëmbën diku nën vesh e mbi faqe, harmonizojnë katër e më shumë zëra bashkë. Edhe ja marrin, edhe ja kthejnë, edhe ja hedhin e mbajnë iso por…seç nxjerrin edhe ndonjë avaz tjetër që vetëm ata mund ta realizojnë. Treshja me famë e Dukatit shënon një rekord pjesëmarrjeje kur mëson se është deklamuar në 8 Festivale Kombëtare Folklori nga ku në të gjitha është shpallur laureat.

E kush sa ka dëgjuar “O Dervish Aliu dole” apo “Ranë kartërat në Vlorë” apo lirikën e kadifenjtë “Atje te lisi në brinjë,

Moj Maro, moj Marinë…”.

Në vitin 1989, në përbërje të Ansamblit “Labëria” të Vlorës, treshja e famshme e Dukatit do befasonte artdashësit francezë, ndërsa vite më pas me mrekullinë e tyre do çudisnin nga skenat e Italisë, Moldavisë e Holandës, këtë herë në përbërje të Grupit Folklorik “Bilbili” të Vlorës, duke treguar, jo vetëm fuqinë integruese të kulturës së brezave, por mbi të gjitha nevojën që ka çdo kohë e çdo shoqëri për artin e vërtetë.

Për këngën që vjen nga rrënjët e nga shpirti i popullit. Urime Leko Gjoleka, Bego Vangjeli e Sulo Bozhani! Urime miqtë e mi për vlerësimin e lartë! Me siguri edhe dekorata e akorduar ndjehet mirë me Ju, se ju jeni të admirueshëm e të pa kontestueshëm. Përmes zërit e shpirtit det, ju keni derdhur e selitur për mbi gjysmë shekulli me aq shumë mjeshtëri, pasion e dashuri këngën e rrallë.

Për vendin Tuaj, për Kombin Tuaj! Tani Dukati ka dy kulla trashëgimie, dy monumente kulturore që duhet t’i ruajë e konsiderojë si të shenjta: Në fushën materiale atë të Dervish Aliut, në atë shpirtërore këngën e tre burrave mbledhur kokë më kokë, si tre majat e maleve rrotull.

Loading...